Gjermani-Shqipëri, firmosen 6 marrëveshje financiare

06/07/2015 00:00

Vizitës të mërkurën në Tiranë të kancelares Angela Merkel i ka paraprirë nënshkrimi i 6 marrëveshjeve dypalëshe mes qeverisë shqiptare dhe asaj federale të Gjermanisë.

Financimi i marrveshjeve është në formën e huasë dhe granteve. Ato përqendrohen në përmirësimin e sitemit energjitik, furnizimin me ujë të pijshëm, ndërkohë që një tjetër marrëveshje prej 10 milionë euro do të përdoret si rifinancim për ndërmarrjet e vogla e të mesme në zonat urbane.

Marrëveshjet morën firmat e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadorit gjerman Helmut Hoffman, i cili tha se, “kjo është një ditë shumë e mirë për bashkëpunimin shqiptaro-gjerman dhe njëkohësisht kurorëzim i një pune dyvjeçare”.

Nënshkrimin e 6 marrëveshjeve ambasadori Hoffman e vlerësoi si nisjen e një pritjeje shumë të mirë për kancelaren Merkel.

Ndërsa numri një i Financave shqiptare, Shkëlqim Cani u shpreh se, këto marrëveshje konfirmojnë marrëdhëninet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe i hapin mundësinë nënshkrimit të të tjera marrëveshjeve.

“Gjermania është një partner strategjik që ka ndihmuar Shqipërinë. Që nga viti 91 e deri më tani, ndihmat që shteti gjerman ka dhënë për Shqipërinë janë të nivelit 370 milionë euro. Ato janë në fusha të ndryshme si në zhvillimin ekonomik, energjitikë, infrastrukturën ujore, si dhe zhvillimin e zonave urbane dhe rurale”, deklaroi Cani.

Marrëveshjet e nënshkruara Shqipëri-Gjermani:

1-Marrëveshje për projektin e “Rifinancimit të Ndërrmarjeve të Vogla e të Mesme në zonat urbane dhe rurale në fazën e dytë”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 10 milion euro.
2-Marrëveshje për projektin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskatën e Drinit”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 20 milionë euro.
3-Marrëveshje për projektin “Efiçenca energjitike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”. Ajo parashikon dhënien e një huaje deri në 40 milionë euro, garantuar nga qeveria shqiptare.
4-Marrëveshje për masën shoqëruese të projektit “Program në sektorin e ujit – furnizim me ujë të zonave rurale II”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 1.5 milion euro.
5-Marrëvjeshje për “Programin III për furnizimin me ujë të zonave rurale”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 24 milionë euro.
6-Marrëveshje për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Efiçenca Energjitike përmes sektorit bankar. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 12 milionë euro. 

Top Channel