Homazhe në Tiranë për dy turistët çekë të vrarë

06/07/2015 00:00

Qindra qytetarë nga Tirana u mblodhën pasditen e së dielës pranë Piramidës, ku në shenjë homazhi për dy turistët çekë të vrarë në Dukagjin, ndezën qirinj dhe vendosën lule pranë fotografive të Mikal Svatos dhe Anna Kosinovës.

E pranishme në këtë homazh, të iniciuar nga shoqëria civile dhe qytetarët e kryeqytetit, ishte dhe sekretarja e përgjithshme e Ambasadës së Republikës Çeke në Shqipëri, e cila falenderoi të gjithë shqiptarët për ngushëllimet dhe vlerësoi punën e policisë dhe prokurorisë shqiptare: “Falenderoj të gjithë njerëzit për mbështetjen dhe ngushëllimet që pas ndodhjes së ngjarjes së tmerrshme. Vlerësoj maksimalisht punën e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme për atë që bënë në Shkodër dhe i falenderoj për punën e tyre profesionale. Dua të siguroj qytetarët shqiptarë që ne do t’i përçojmë ngushëllimet e gjithë popullit shqiptar familjeve të viktimave”.

Dy nga iniciatorët e kësaj nisme u shprehën se me këtë veprim, shqiptarët treguan se veç dënimit që do të marrë nga ligji, autori ka marrë dhe dënimin maksimal të gjithë shoqërisë shqiptare.

“Është një shprehje ngushëllimi në emër të shoqërisë shqiptare. Është shprehje e qytetarisë shqiptare përballë një krimi që kreu një bashkëkombas”, tha Mentor Kikia.
 
Krah fotografive të dy viktimave dhe flamujve të Shqipërisë dhe Çekisë, qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, vendosën qirinj si dhe lanë mesazhe ngushëllimi për familjet e dy viktimave, jeta e të cilëve u ndërpre në mënyrë mizore mbrëmjen e së premtes, në Prekal të Shkodrës.

Top Channel