Maqedoni, përvjetori i PDSH-së. Thaçi flet për bashkëpunimin me partitë e tjera

06/07/2015 00:00

Mosavancimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni ndërlikon rrugën e vendit për të ecur përpara dhe procesin madhor për anëtarësim në NATO dhe BE. Kështu u shpreh kreu i PDSH-së opozitare Menduh Thaçi, në shënimin e përvjetorit të partisë së tij.

Thaçi tha se në negociatat për tejkalimin e ngërçit politik, partia e tij ka shtruar shtatë kërkesa që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve, ndërsa edhe një herë e përsëriti se liderët partiakë po diskutojnë edhe për zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë.

“Para disa ditësh kemi dëgjuar nga partitë politike maqedonase se ne nuk paskemi biseduar për çështjen e emrit në takimin e liderëve. Edhe një herë e përsëris: nëse në kuadër të takimit të sponsorizuar nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos çështja e emrit nuk zgjidhet, ky dialog do të jetë i pakuptimtë”, tha Thaçi.

Për të ndryshuar pozitën e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni, Thaçi deklaroi se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera shqiptare në opozitë, RDK-në dhe Lëvizjen BESA.

“Jam i gatshëm të flas me të gjithë ata që janë dakord se për t’u ndryshuar pozita e shqiptarëve në Maqedoni, të gjithë së bashku në prillin e vitit të ardhshëm duhet të votojmë kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit”, u shpreh Thaçi.

Kreu i PDSH-së fajësoi partinë shqiptare në pushtet BDI për të gjitha të këqijat që u kanë ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë në 12 vitet e kaluara.

Top Channel