Përshëndetet largimi i Varoufakis, qytetarët: Tani të gjendet zgjidhja

06/07/2015 00:00

Lajmi i dorëheqjes së Yannis Varoufakis solli reagime të qarta në Gjermani. Në mesin e të intervistuarve nga agjencia e lajmeve “Reuters” triumfon krahu që e përshëndet largimin e kreut grek të Financave dhe që kritikon mënyrën se si e menaxhoi krizën qeveria e Athinës.

“Varoufakis iku? Më në fund një lajm i mirë! Sepse në të kundërt do të vazhdonte e njëjta ecejake, para-mbrapa. Nuk është se influencohem shumë nga kjo situatë, por them se tani më në fund duhet ta gjejnë një marrëveshje”, thotë një i intervistuar.

“Mendoj se do të bëjnë ç’është e mundur, se do t’i vënë në peshore të gjitha mundësitë. Por është e vështirë të negociosh me njerëz që thonë një gjë sot e një tjetër nesër. Dhe kjo është ajo çfarë kemi parë deri tani nga qeveria greke”, thotë një tjetër.

Një pjesë e banorëve të Madridit u shprehën optimistë se pas votës së grekëve, situata do të ndryshojë. Ndërsa të tjerë e mbështetën rezultatin e referendumit.

“Mendoj se ajo çfarë mund të ndodhë tani është që gjërat të përmirësohen. Europa duhet ta kuptojë se nuk mund të vazhdojmë më në rrugën që kemi ndjekur”, thotë Manuela Vazquez.

“Edhe pse në vetvete ky është një telash i madh, ata kanë të drejtën që votuan në atë mënyrë, sepse u ka ardhur në majë të hundës nga masat shtrënguese. Grekët treguan se masat anti-krizë nuk kanë bë gjë jetër veçse e kanë përkeqësuar situateë, siç ka ndodhur pak a shumë edhe këtu. Rrogat e pensionet shkurtohen, ndërsa kapitali del jashtë vendit”, thotë një spanjoll tjetër.

Në Itali sakaq, nuk janë të paktë ata që ndajnë bindjen se Europës nuk ka për t’i ardhur asgjë e mirë nga dalja e Greqisë nga Eurozona.

“Mendoj se vendet europiane duhet të mblidhen e të vendosin çfarë kërkojnë nga Unioni, sepse nuk besoj që zgjidhja mund të gjendet me largimin e një shteti anëtar nga Eurozona, apo ndryshimin e monedhës në përdorim”, thotë një shtetas italian.

Ndërkohë, ka dhe nga ata si Giorgia Santini që thonë se Italia nuk duhet t’i ishte bashkuar kurrë Eurozonës dhe këmbëngulin se me lirën italiane ishin më mirë sesa me euron.

Top Channel