Rama mbledh kryebashkiakët e rinj. Mungojnë të PD-së: Nuk jemi mandatuar ende si kryetarë

06/07/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, dy javë nga përfundimi zgjedhjeve të 21 Qershorit, zhvilloi takimin e parë me kryebashkiakët e rinj. Të zgjedhurit nga radhët e opozitës nuk morën pjesë, përveç dy bashkiakëve të djathtë nga Bashkitë Përmet dhe Dropull, të cilët iu përgjigjën pozitivisht ftesës.  

“Jam i keqardhur që pjesa tjetër nuk është ngjitur mbi lartësinë e atij mesazhi të famshëm të fushatës elektorale ‘kam frikë se më shohin’, por jam i keqardhur po ashtu sepse ky është një takim me rëndësi të posaçme dhe uroj, që të dalin sa më parë nga guacka mbytëse e politikës së verbër të partisë së tyre, duke u vënë një orë e më parë në shërbim të komuniteteve”, u shpreh kryeministri Rama.

Zyra e shtypit të PD-së i tha Top Channel se, mosmarrja pjesë e kryebashkiakëve të djathtë lidhet me faktin se, ata ende nuk janë zyrtarizuar nga KQZ-ja si kryetarë bashkie dhe se, interesit të tyre për ta ditur axhendën e takimit me kryeministrin Rama, Kryeministria nuk i ka dhënë përgjigje.

Si një sfidë të jashtëzakonshme, e quajti kryeministri qeverisjen vendore, duke ofruar mbështjetjen e qeverisë qendrore.

“Qeveria do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjithë bashkitë e vendit dhe do të mbështesë pa asnjë rezervë të gjithë kryetaret dhe kryetarët e bashkive të vendit, që do të kenë vullnetin dhe padyshim edhe dëshirën, që të bashkëpunojnë me qeverinë”, deklaroi më tej Edi Rama.

Qeveria jonë, – tha Rama, – do të qëndrojë larg ndasive politike, duke i ndarë bashkitë në “të kuqe” dhe “blu”.

“Ne nuk do të lutemi për bashkëpunim, sepse ne besojmë që është e drejta e zgjedhjes së çdonjërit nga të zgjedhurit dhe çdonjërës nga të zgjedhurat e 21 Qershorit, të synojë bashkëpunimin me qeverinë dhe do të mbështesim pa asnjë dallim politik e partiak të gjithë të zgjedhurit vendorë të Shqipërisë, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne”, tha kryeministri Rama.

Kryebashkiakëve pjesëmarrës, Rama u tha se nuk kemi kohë për humbur, pasi do të nisë reforma e ujit, të cilën e quajti jetike, për ta ndarë Shqipërinë – siç theksoi kreu i qeverisë, – nga epoka afrikane e të trajtuarit të kësaj pasurie, e cila do të administrohet nga bashkitë.

Rama porositi të bëhet kujdes me mbeturinat dha transportin publik. Kryeministri parashtroi edhe një tjetër reformë në qeverisjen vendore, të cilën e quajti të guximshme, shkrirjen e Policive Bashkiake dhe se urdhrat administrative të bashkive do t’i zbatojë Policia e Shtetit.

Top Channel