Universiteti i Tiranës, kundër ligjit për arsimin e lartë

06/07/2015 00:00

Universiteti i Tiranës, por edhe Këshilli Studentor, kanë kërkuar që në ligjin e ri të arsimit të lartë të hiqet kapitulli i 12 dhe të bëhen disa përmirësime ligjore në një pjesë të neneve, çka do ta bënte ligjin të zbatueshëm dhe aktual.

“Nëse do bëhet pjesë e ligjit ky lloj institucioni, që e ka iminent riskun për ta kthyer të mirën publike në private, atëherë arsimi i lartë do ketë pasoja shumë të mëdha. Unë kam deklaruar se ky ligj është antikushtetues, pasi Kushtetuta u jep universiteteve autonomi dhe jo pavarësi”, deklaroi rektori Dhori Kule.

Porfesorët kanë theksuar se me buxhetin e shtetit nuk arrihet që të paguhen as stafet akademike, pagat e të cilëve janë më të ulëta se kolegët e tyre në Kosovë.

“Sikurse më parë, edhe qeverisja aktuale nuk përmbush dot as sistemin e pagave në universitete dhe universitetet prej 3-4 vitesh marrin nga fondet e kushtëzuara për të plotësuar nevojën e pagave. Nëse edhe në këtë pak fond që jepet nga shteti futen aktorë të tjerë, atëherë ne ngremë kështjella të bukura, por kështjella prej rëre sepse janë jashtë realitetit”, deklaroi dekani i Fakultetit Histori-Filologji, Shezai Rrokaj.

“Të marrin nga privati atë që ai ka në natyrën e vetë dhe jo t’i jepet emri publik, pasi kjo rrezikon të mirën publike dhe sjell pasoja të rënda jo vetëm për arsimin, por edhe kudo, sepse arsimi reflekton gjithandej”, deklaroi sërish rektori Kule.

Zoti Kule tha se krijimi i shumë agjencive do të sillte shpërndarje të buxhetit për arsimin, i cili gjatë këtyre viteve ka qenë i pamjaftueshëm edhe për kryerjen e pagesave të stafit akademik.

Kule tha se UT nuk parashikon rritje të tarifave për studentët dhe se është e domosdoshme që në procesin e akreditimin të ketë agjenci të huaja, të cilat nuk bëjnë tolerime dhe kanë struktura të forta. 

Top Channel