Tavekio vë alarmin: Vetëm 5 klube respektojnë parametrat

06/07/2015 00:00

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, u kundërpërgjigjet të gjithë kritikëve. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, kreu i institucionit më të lartë të këtij sporti në Itali tha se Federata po bën një punë të mirë dhe se “po mendon masat për të shpëtuar futbollin e këtij vendi nga kolapsi”.

“Federata po funksionon mirë prej 11 muajsh dhe nuk ka asnjë shqetësim në aspektin ekonomik”, tha Tavecchio, duke shtuar: “Kemi ndërmarrë masa që janë miratuar edhe nga qeveria e vendit”.

Brenda 4 viteve, sipas tij, do të fillojë aplikimi në mënyrë progresive i rregullave të reja për të evituar raste falimentimesh në klube. “Nëse ato rregulla do t’i vendosnim që në këtë moment, atëherë në kampionat do të kishin të drejtë të regjistroheshin vetëm 5 skuadra të Serisë A. I kemi parë bilancet dhe shumë klube janë në vështirësi ekonomike, madje edhe ato të qyteteve të mëdha”, tha më tej Tavekio.

Ai bëri të ditur se, i kanë paralajmëruar drejtuesit e këtyre skuadrave të respektojnë disa parametra, pasi në rast të kundërt nuk do të mund të regjistrohen.

“Është e nevojshme të punojmë dhe të zgjidhim problemet me një plan 5-vjeçar për të shpëtuar futbollin italian nga falimentimi i plotë”, shpjegoi Tavekio, i cili foli edhe për mundësinë e një reforme të kampionateve në Itali.

Ideja e tij është krijimi i një kampionati elitë dhe një kampionati tjetër që bashkon Serinë B me Lega Pro, proces ky që, sipas tij, nuk do të jetë i lehtë për t’u realizuar.

Top Channel