Tsipras do të rinegociojë me BE-në, në tryezë me propozimin që refuzoi para referendumit

06/07/2015 00:00

Disa orë pasi më shumë se 60% e grekëve i kanë thënë “Jo” propozimeve të huadhënësve në referendumin e së dielës, Presdienti grek Pavlopoulos, me kërkesë të kryeminstrit ka mbledhur 6 udhëheqës të partive parlamentare greke, të cilët pas 7 orësh rreth një tryeze bisedimesh kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, që nuk është nënshkruar vetëm nga kreu i PKG-së, me të cilën mbështesin Tsiprasin të rinegociojë në Bruksel.

Në thelb, pozicionimi i tyre është që zgjidhja e re, që kërkohet me huadhënësit, të jetë në çdo rast brenda Eurozonës.

Tsipras thuhet se do të çojë para partnerëve propozimin e përmirësuar të Jean Claude Juncker, pikërisht atë që kreu i KE-së i kishte dhënë Athinës, pasi është marrë vendimi për referendumin dhe që pala greke e kishte refuzuar.

Takimi është ndërprerë disa herë nga bisedat telefonike që ka pasur kryeministri grek, në fillim me Kancelaren Merkel, me të cilën ka rënë dakord që ai – mbrëmjen e së martës, në samitin e lartë të udhëheqësve të Eurozonës, – të ketë me vete një propozim të ri të marrëveshjes, që kërkon të nënshkruajë me kreditorët.

Gjithashtu, në bisedën telefonike me Presdientin Hollande, ky i fundit i ka theksuar atij se, nëse Greqia sjell në tryezë një propozim, që do të jetë brenda konteksteve logjike të të gjitha palëve negociuese, Franca do ta mbështesë me të gjithë forcën.

Ndërkohë që Berlini ende këmbëngul në linjën e tij të ashpër, Kancelarja Merkel ka deklaruar se ende nuk mund të flasim për një marrëveshje brenda 48 orëve, ndërsa edhe zv.kancelari gjerman është shprehur se, Greqia duhet të paraqesë një ofertë të re, që shkon përtej propozimeve të saj të mëparshme, nëse dëshiron të mbetet në Euro.

“Sapo Tsipras të jetë i përgatitur, që të paraqesë një propozim të konsiderueshëm, Europa do të jetë e gatshme për të diskutuar për të. Por tani, ajo që ka më shumë rëndësi është fakti, që Greqia të marrë një paketë ndihme”, tha Sigmar Gabriel, zv.kancelar i Gjermanisë.

Ndërkohë, edhe në largimin e tij të fundit pas dorëheqejs nga Ministria e Financave, Yanis Varoufakis ka qenë në epiqendrën e medieve, madje tashmë me shenja nervozizmi, pasi dhjetëra gazetarë e kanë penguar të largohet me bashkëshorten e tij.

“Kjo tregon mungesë edukate. Do të ishte mirë, që mediet toksike të fillojnë të bëhen pak më të civilizuara. Ju lutem largohuni. Kjo që keni bërë këtu është një xhungël. Mjaft më”, tha Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave.

Dorëheqja e Varoufakis, që është cilësuar si simbol përçarës në negociatat midis Greqisë dhe huadhënësve të saj, thuhet se është një nga flijimet që i janë kërkuar të bëjë kryeministri Tsipras, duke vendosur në vendin e tij Eucleides Tsakalotos, një ekonomist tepër modern me shumë kontakte në qarqet europiane.

Ndërkohë që edhe sot, radhët nëpër banka dhe pranë bankomateve (ATM) kanë qenë të mëdha, kryeministri grek ka biseduar në telefon edhe me kreun e BQE-së, Mario Draghi, për çështjen e likuiditetit bankar, si një nga çështjet më me rëndësi në momentin tepër kritik që po kalon Greqia.

Top Channel