Nafta, sërish drejt çmimit historik. Çmimi në bursa nuk është rritur

06/07/2015 00:00

Çmimi i karburanteve në tregun vendas po u rikthehet sërish rekordeve të së shkuarës, duke iu afruar niveleve të larta historike.

Në pikat me pakicë, nafta u shtrenjtua sërish ditët e fundit duke cekur nivelin 187 lekë për litër, ndërsa benzina po kuotohet me 188 lekë për litër.

Jashtë kamerave, tregtarët thonë se shkaku për rritjen e fundit është forcimi i dollarit dhe ecuria e çmimit në bursë, edhe pse të dhënat nga BBC tregojnë se të paktën në dy muajt e fundit çmimi i karburanteve në tregjet botërore ka qenë i pandryshuar.

Ndërkohë që ditët e fundit, për shkak të thellimit të krizës greke ai, po ulet me ritme të shpejta. Në tregun vendas, çmimi i naftës shënoi nivelin më të ulët në fillim të shkurtit, kur në disa pika me pakicë ra deri në 165 lekë për litër.

Por, pas kësaj kohe kurba e çmimit ka qenë vetëm në rritje dhe sipas të dhënave, krahasuar me shkurtin, ato janë shtrenjtuar me rreth 13.5 për qind. Për shkak të taksimit të rëndë dhe ngurtësisë së tregut, Shqipëria mbetet një nga vendet me çmimin më të lartë të karburanteve në Europë.

Madje, sipas “Global Petrol”, me çmimet aktuale, nafta në Shqipëri kushton më shtrenjtë edhe se në shumë vende të pasura, si Franca, Gjermania, Belgjika apo Austria, ku të ardhurat për frymë janë disa herë më të larta.

Top Channel