Turi i Francës ka edhe rrëzime masive… Nervozohen çiklistët, disa tërhiqen

06/07/2015 00:00

Turi i Francës të ofron pamje të jashtëzakonshme të bukurive natyrore të vendeve ku zhvillohen etapat e ndryshme të pedalimit, por sigurisht që ka edhe momente të padëshiruara, siç janë rrëzimet masive të çiklistëve.

Një e tillë ka ndodhur që në etapën e tretë të edicionit të 102-të të Turit të Francës, një etapë që zhvillohet e gjitha në Belgjikë, pas dy të parave të zhvilluara në Holandë.

Të paktën 20 çiklistë janë përfshirë në rrëzimin masiv të kësaj të hëne, kur mbeteshin edhe 58 km pedalim për të përfunduar etapën. Ndër të rrëzuarit është edhe Cancellara, i cili gjithsesi ka mundur të ngrihet dhe të vijojë garën, ndërkohë që Albasini dhe Impey jo.

Rrëzimi ka ndodhur në një pjesë të drejtë, ku çiklistët po jepnin maksimumin për të siguruar ndonjë shkëputje të mundshme disa sekondëshe, e me shumë mundësi është shkaktuar nga një prekje rrotash të një prej çiklistëve të “Fdj”-së. Drejtori i garës, Prudhomme ndërpreu garën.

Gjatë kësaj kohe, Nibali arrin të bashkohet me pjesën e parë të grupit, kurse Tom Dumoulin tërhiqet. Një tjetër rrëzim ka ndodhur vetëm dy minuta më pas, për shkak të nervozizmit në grupin e çiklistëve, teksa të pranishme kanë qenë ambulancat për të asistuar të rrëzuarit, por asnjëri prej tyre nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje emergjente. Janë tërhequr edhe Gerrans, Ten Dam, Bonnet.

Top Channel