Kosovë, Mustafa: Shumë shpejt rivotimi për Gjykatën Speciale

06/07/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar se shumë shpejt qeveria do të riprocedojë në Kuvend amendamentin kushtetues që i hap rrugë krijimit të Gjykatës Speciale.

Mustafa nuk tregoi datën e saktë kur do të dërgojnë amendamentin sërish në Kuvend, por tha se sa më shumë të zgjatet ky proces, aq më shumë zëra do të dalin me interesa të ndryshme.

“Është e natyrshme që për sa kohë të zgjatet ky proces të dalin zëra të ndryshëm, me interesa të ndryshme. Ne po punojmë tani që të bashkërendojmë punët me deputetët dhe grupet parlamentare, në mënyrë që të riprocedojmë amendamentin. Sot nuk mund të flas për ditët apo datën se kur do ta riprocedojmë, mirëpo do ta bashkërendojmë të gjithë ketë dhe në fund është Kuvendi i Kosovës ai që duhet të marrë përgjegjësinë”, ka deklaruar Mustafa.

Kreu i ekzekutivit kosovar paralajmëroi edhe mundësinë e bisedimeve edhe me partitë opozitare për ta mbështetur formimin e Speciales. Mustafa po ashtu mohoi mundësinë e kurdisjes së qëllimshme në Kuvend për dështimin e formimit të saj.

“Nuk po flas për kurdisje, sepse të gjithë deputetët kanë të drejtën që të votojnë dhe të vendosin vetë. Mirëpo, në ketë rast të gjithë duhet të kapërcejmë vetveten dhe të marrim një vendim, i cili nuk është i lehtë, por është i përgjegjshëm për Kosovën”, theksoi Mustafa.

Kryeministri Mustafa i bëri këto komente pas akademisë përkujtimore për dëshmorët e rënë në betejën e Loxhës, Rrustem Bruqi, Enver Alaj, Lumni Surdulli dhe kolonel Tahir Zemaj.

Top Channel