Ekuador; Papa Françesku, nga Quito drejt epiqendrës së protestave antiqeveritare

06/07/2015 00:00

Të mbledhur nëpër rrugë me çadra kampingu dhe të pajisur me rezerva ushqimore, mijëra ekuadorianë të ekzaltuar janë mbledhur në qytetin bregdetar të Guayaquilit, këtë të hënë, për meshën e parë të Papa Françeskut në turin e tij “të rikthimit në shtëpi”, siç konsiderohet turi në Amerikën Latine.

Në ditën e parë të plotë të udhëtimit të tij në tri shtete, Ati i Shenjtë i lindur në Argjentinë  ka lënë Quiton për të zbritur më në jug, në qytetin e dytë më të madh të Ekuadorit, një port i rëndësishëm e shpeshherë i cilësuar si “kryeqyteti botëror i bananeve”, duke parë shkëmbimet tregtare të këtij fruti nga ky port.

“Do të jetë një ditë vërtet speciale, të cilën do ta ndaj me ata që dua më shumë”, thotë një doktoreshë 43-vjeçare, duke pritur në rrugë. “Jemi të gjithë vëllezër të krishterë”.

Pas meshës, Françesku do të ndalojë në një shkollë lokale të drejtuar nga Urdhri Jezuit për t’u takuar me një mik të vjetër, të cilin nuk e ka parë gjatë 3 dekadave të fundit, At Francisco Cortes, i cili pëlqen edhe të tymosë duhan. Kur ka qenë drejtues seminaresh në Argjentinë, ish-Ati Jorge Bergoglio (Papa Françesku tashmë) duhej të çonte seminare në këtë shkollë për të studiuar teologji me At Cortesin, tashmë një prift 91-vjeçar spanjoll, i cili njihet me përkëdheli si “At Paquito”.

Vizita e Papës në Guayaquil merr një rëndësi të veçantë për Ekuadorin, por edhe për Presidentin e majtë të këtij shteti, Rafael Correa, duke ditur se ky qytet ka qenë epiqendra e protesta antiqeveritare për javë të tëra.

Mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në Guayaquil dhe qytete të tjera për të protestuar ndaj taksave dhe autoritarizmit shtetëror, siç pretendojnë qytetarët. Correa thotë se reformat do të prekin vetëm super të pasurit dhe akuzon armiqtë e tij politikë se po synojnë një “grusht shteti”.

Udhëheqësit e protestave kanë bërë thirrje për një “moratorium” të protestave gjatë vizitës së Papës, ndërsa Ati i Shenjtë shfrytëzoi fjalimin e mbërritjes gjatë së dielës për të bërë thirrje për dialog dhe respektim të mendimeve ndryshe.

Top Channel