Në muajin mars braktisi pasionin që kishte për fotografinë dhe për modelingun për të zbuluar një tjetër pasion, luftën.

Tiger Sun, një modele jo fort e njohur 46-vjeçare kanadeze, iu bashkua forcave kurde në betejën e këtyre të fundit me militantët e ISIS-it.

Sun u trajnua në përdorimin e armës nga Heval Berxodan, një ish-ushtarak holandez, i njohur nga kurdët dhe luftëtarët e tjerë të huaj në radhët e kurdëve, si “skifteri holandez”.

Trajnimi zgjati vetëm pak ditë dhe menjëherë Tiger u hodh në front. Për rreth 4 muaj ajo ishte pjesë e një njësie ku bënin pjesë dhjetra luftëtarë kurde. Por një infeksion në këmbë dhe kequshqyerja e detyruan 46-vjeçaren që në fund të muajit qershor të rikthehej sërish në Kanada për të marrë mjekim.

Në vendlindje ajo rrëfen tmerret që ka parë andej, por edhe synimin për t’iu bashkuar sërish forcave kurde në Siri, në betejën e tyre kundër ekstremistëve.

“Kam parë një fëmijë të vdesë nga një minë dhe një gisht në një postbllok të cilin e morëm nën kontroll. Po kërkoja për trupin, por nuk e gjeta. Sa për ISIS, ata janë një grusht njerëzish asocialë, që pretendojnë se janë më të mëdhenj nga ç’janë në të vërtetë”, thotë Tiger.

46-vjeçarja rrëfen planet për t’iu bashkuar sërish miqve të saj kurdë në Siri.

“I dua njerëzit dhe jam e shqetësuar për miqtë e mi atje dhe veç kësaj, më pëlqen të luftoj”, thotë ajo për mediat kanadeze.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel