“Monstra”, Apeli zvarrit ankesat e shqiptarëve të dënuar. Seanca më 11 shtator

06/07/2015 00:00

Gjykata e Apelit në Shkup ka anuluar seancën për shqyrtimin e ankesave, të ngritura nga 6 shqiptarët e dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me “burg të përjetshëm”, në të ashtuquajturin rastin “Monstra”.

Seanca, që ishte caktuar për këtë të hënë, do të mbahet më 11 shtator. Gjykatësja Liljana Shopova nuk e filloi seancën, për shkak se në gjykatë nuk ishin të pranishëm dy prej të dënuarve. Por avokati, që mbron të dënuarit, e vlerësoi këtë vendim si të palogjikshëm, pasi – sipas tij, – seanca tjetër mund të caktohej brenda pak ditësh.

“Më habit fakti se, përse është anuluar seanca për një periudhë kaq të shkurtër kohor. Nuk shoh arsye për këtë moment”, tha Naser Raufi, avokat i të dënuarve në rastin “Monstra”.

Familjarët e të dënuarve dyshojnë se, anulimi i seancës së sotme është i qëllimshëm dhe ka prapavijë politike. Ata shprehen të zhgënjyer edhe nga udhëheqësi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili ende nuk i ka publikuar materialet, për të cilat thotë se hedhin dyshime të forta, se rasti “Monstra” është i montuar nga politika.

“Jemi të zhgënjyer në njëfarë mënyre, sepse nuk po i publikon materialet. Për faktin që nuk i publikon, edhe ai duhet të ndiejë përgjegjësi morale dhe ligjore”, tha Fejzi Aziri, familjar i të dënuarve në rastin “Monstra”.

Megjithatë, pavarësisht publikimit ose jo të dëshmive nga kreu maqedonas i opozitës, avokati Naser Raufi është i bindur se, rasti “Monstra” do të kthehet për rigjykim, pasi – sipas tij, – vendimi i Shkallës së Parë nuk është i bazuar në prova.

“Pa marrë parasysh transkriptet, apo të ashtuquajturat ‘bomba’, mendoj që do të arrijmë t’i lirojmë të akuzuarit nga paraburgimi dhe nga kjo aktakuzë, që nuk ka kurrfarë baze”, tha Naser Raufi, avokat i të dënuarve në rastin “Monstra”.

Një vit më parë, Gjykata Themelore e Shkupit dënoi me burgim të përjetshëm 6 shqiptarë, të cilët u akuzuan se kanë kryer vrasjen e 5 maqedonasve në prill të 2012-s, në hyrje të Shkupit.

Top Channel