Prishtinë, Komuna harton projektet e këndeve të lodrave dhe hapësirave publike

06/07/2015 00:00

Gjatë diskutimeve publike, të realizuara me banorë të lagjeve të ndryshme të kryeqytetit, kërkesë specifike, e përsëritur thuajse në secilin diskutim, ishte krijimi i këndeve të lodrave dhe hapësirave publike.

Komuna e Prishtinës, respektivisht Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një kompanie projektuese është duke bërë projektet për këndet e lodrave dhe terrene sportive dhe, së shpejti, do të fillojnë procedurat tenderuese për realizimin e këtyre projekteve në lagje të ndryshme të qytetit.

“Së shpejti do të ketë hapësira të përshtatshme për familjarë dhe fëmijë, ku ata do të mund të kalojnë kohën, por edhe të merren me aktivitete rekreative. Në listën prioritare do të jenë të gjitha ato lagje, që nuk kanë fare hapësira të tilla, apo ato lagje ku hapësirat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme. Për këndet e lodrave dhe hapësirat sportive janë planifikuar rreth 300 mijë euro nga buxheti i Komunës së Prishtinës”, tha Saranda Bogujevci, drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Të gjithë ata banorë, që kanë kërkesë për ndërtimin e hapësirave të tilla në lagjet e tyre, i ftojmë që në mënyrë të organizuar t’i parashtrojnë edhe me shkrim kërkesat në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Top Channel