Turi i Francës, Rodriguez fitues i etapës së tretë. Chris Froome rrëmben fanelën e verdhë

06/07/2015 00:00

Rënia, tërheqjet dhe neutralizimi… Fitore e madhe dhe e rëndësishme e Purito Rodriguez, në Murin e Huyt, dhe rrëmbimi i fanelës së verdhë nga ana e Chris Froome. Çaste dramatike në etapën e tretë të Turit të Francës, prej 159,5 kilometrash nga Anversa deri në Huy.

Këto ishin pak a shumë gjithçka mund të keni ndjekur në këtë etapë të tretë, ku ngjarja e parë ndodhi rreth 58 km nga fundi. Në një vijë të drejtë e ndërsa grupi i çiklistëve po i afrohej çastit më të rëndësishëm të ditës, një prekje e vogël nga francezi Ëilliam Bonnet shkaktoi një “masakër”.

Rreth 20 çiklistë përfunduan të rrëzuar në tokë, mes të cilëve Fabian Cancellara, i cili edhe pse mes dhimbjesh arriti të ngjitej sërish në biçikletën e tij. Ata që përfunduan përpara kohe këtë pedalim ishin vetë Bonnet, mbajtësi i fanelës së bardhë Tom Dumoulin dhe australiani Simon Gerrans. Në përplasje u përfshinë edhe Mattheës, Teklehaimanot, Henderson, Van Summeren, Ten Dam, Pozzato dhe Rui Costa.

Nga kjo ngjarje, brenda 2 minutave të ardhshme erdhi edhe një skenar i papritur. Drejtori i turit, Christian Prudhomme, pavarësisht se ambulancat ishin të pranishme për të asistuar të rrëzuarit, neutralizoi diferencat e krijuara deri në atë moment në pedalim. Sigurisht jo pa diskutime kaloi ky vendim nga Astana dhe Sky, dy skuadra që donin të vazhdonin, ndërsa Movistar kërkon ndalimin.

Pas 10 minutash gara rinisi me ritme më agoniste dhe me radhë tashmë më të kompaktësuara.

Në fund, gjatë ngjitjes për në Murin e Huyt, nisi edhe beteja finale për të siguruar triumfin e kësaj etape, por edhe kreun e përgjithshëm të Turit të Francës. Joacquin Rodriguez është rishfaqur në “Chemin des Chappelles”, aty ku fitoi edhe “Freccia Vallone” në vitin 2012, duke fituar këtë etapë. Pas tij u rendit Chris Froome, i cili ishte kryesues në pjesën e parë të malores, por më pas u tejkalua nga Rodriguez dhe Gallopin, e në fund rikuperoi vetëm këtë të dytin.

Sa i përket renditjes së përgjithshme, francezi Froome është ngjitur në krye, me vetëm 1 sekondë më shumë sesa gjermani Tony Martin. Në këtë etapë të tretë, Nibali rezultoi më mirë sesa Contador, me siçilianin në vendin e 7. Një çmim të shtrenjtë ka paguar Fabian Cancellara, i cili mbërriti me mbi 11 minuta vonesë.

Një moment i veçantë dhe prekës ishte kalimi në qytetin e lindjes së Eddy Merckx, në Meensel Kiezegem, pas 47,5 km nga fillimi në Anversa. “Kanibali” 70-vjeçar ka qenë i pranishëm gjatë parakalimit të çiklistëve dhe është emocionuar së tepërmi. Së bashku me të ka qenë edhe Bernard Hinault, 50 vjeç, teksa të dy këta kanë arritur në total të fitojnë 10 Ture të Francës, nga 5 secili.

Ditën e martë, më 7 korrik, etapa e katërt nis në Belgjikë, nga Seraing, dhe përfundon në Cambrai të Francës, pas 223,5 km, pa ndonjë vështirësi të veçantë. Një terren që në Seraing kulmon me 65 metra mbi nivelin e detit, ndërsa në Cambrai me 63 m lartësi mbi këtë nivel, por lartësia më e madhe do të shënohet në Citadelle de Namur me 181 metra mbi nivelin e detit.

Top Channel