Kosovë, Prokuroria ngre aktakuzë për 8 persona. Dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare

06/07/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur të hënën një aktakuzë kundër 8 personave.

Prej tyre, një ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, një drejtor i Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, një ish-menaxher i Departamentit të Prokurimit në këtë ministri, tre persona zyrtarë në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Kontratës dhe kundër dy bashkëpronarëve të një biznesi privat.

Të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim”, si dhe “Shmangie nga tatimi”.

Aktakuza ka të bëjë me katër aktivitete të prokurimit publik, të iniciuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2011, “Klasifikimi dhe shkatërrimi i ilaçeve me afat të skaduar”, “Furnizim me serume”, “Rinovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK” dhe “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne në repartin e ri për dializë në QKUK”, ku si pasojë e shkeljeve është dëmtuar buxheti i shtetit në vlerë rreth 700 mijë euro.

Në këtë çështje penale janë bllokuar dy prona të paluajtshme dhe një ndërtesë, të cilat janë përfituar nga kryerja e veprave penale.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili për veprat me të cilat të pandehurit ngarkohen sipas aktakuzës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Top Channel