Basha: Koncepti i Ramës, betonizimi. Projekti i Parkut të Liqenit, klientelist

06/07/2015 00:00

Për opozitën Edi Rama nuk i ka parë dhe nuk i sheh akoma si kryetarë bashkie të zgjedhurit vendorë të 21 Qershorit dhe kjo, tha Lulzim Basha, u tregua fare qartë edhe këtë të hënë, në takimin e thërritur prej kryeministrit.

“U pa sot qartë që nuk respekton asnjë kryetar bashkie si të tillë, por i trajton ata si vartës dhe zgjatime të tekave të tij”, tha Basha.

Në takimin me të zgjedhurit e rinj vendorë, të mbajtur pak orë pas atij të zhvilluar nga kryeministri, ku pjesëmarrës ishin vetëm dy nga 15 kryebashkiakët e opozitës, kreu i PD-së, pasi radhiti edhe njëherë tjetër faktorët që për opozitën deformuan vullnetin popullor, u ndal edhe tek projekti i publikuar së fundmi për hyrjen në Parkun e Liqenit, një projekt që Basha e cilësoi si klientelist.

“Koncepti i tij është vetëm betonizimi. I tillë është projekti që do të zbatojë te Parku Liqenit dhe sheshi Nënë Tereza. Tiranën e sheh si fabrikë interesash financiare, dhe pikërisht këtë ka ndërmend të zbatojë me vartësin e tij, që bëri një fushatë miliona euro, si asnjëherë tjetër me para nga burime të panjohura, por që duhet t’u rikthehen financuesve përmes projektit të sheshit Nënë Tereza”, deklaroi ai.

Basha tha se “atë që bëri me Parlamentin, duke futur elementë kriminalë, kryeministri Rama e zbatoi edhe me të zgjedhurit vendorë”. Basha përmendi krerët e rinj të bashkive në Kavajë dhe Krujë, por edhe këshilltarë të dalë nga vota e 21 Qershorit.

Top Channel