Fundjavë e përgjakshme në Çikago, 7 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

06/07/2015 00:00

Nga mëngjesi i së premtes deri të dielën pasdite janë regjistruar shtatë vrasje dhe 40 plagosje në Çikago. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë kohore, policia ka sekuestruar nga një armë për orë.

Këto statistika, të cilat ende nuk janë përfundimtare, kanë bërë që Departamenti i Policisë së Çikagos të dalë me një konferencë të jashtëzakonshme.

Këto shifra tërheqin akoma më tepër vëmendjen, kur dihet se Departamenti i Çikagos kishte rritur me 30% praninë e forcave policore në fundjavën që lamë pas, për shkak të festimeve për Ditën e Pavarësisë. Por, për shefin e këtij departamenti, Garry McCarthy problemi qëndron te sistemi i drejtësisë.

“Të jeni të sigurtë se policët janë duke bërë ç’është e mundur që të ndalojnë dhunën. Por ne kemi nevojë për të riparuar një sistem të thyer të drejtësisë. Kriminelët nuk ndiejnë pasojat e veprimeve të tyre”, është shprehur McCarthy.

Për të ilustruar me fakte fjalët e tij, ai ka përmendur se në mesin e shtatë të vrarëve është edhe 7-vjeçari Amari Brown, që ka humbur jetën nga plumbi i një pistole të të atit, që është pjesëtar i një bande.

“I ati i Amarit, që është arrestuar 45 herë nga policia dhe ka një të kaluar kriminale nuk duhej të ishte në rrugë, por në një vend tjetër. Nëse Brown do të ishte në qeli, atëherë djali i tij sot do të ishte gjallë”, është shprehur McCarthy.

Top Channel