FMN: E kemi situatën nën monitorim; Dijsselbloem: Masat shtrënguese janë të domosdoshme

06/07/2015 00:00

Vota “Jo” e grekëve në referendum ka hapur një sërë diskutimesh në radhët e Bashkimit Europian, teksa pasditen e së hënës ka nisur edhe takimi mes Kancelares, Angela Merkel, dhe Presidentit francez, Francois Hollande, mbi krizën greke e pritet një deklaratë e përbashkët e të dy udhëheqësve më të fuqishëm të BE-së.

Shprehja e vullnetit të popullit grek ndaj propozimeve të huadhënësve ndërkombëtar ka zgjuar reagime të shumta, teksa tashmë është vënë në dyshim edhe qëndrimi i mëtejshëm i Greqisë në Eurozonë.

Por, në një situatë krize, teksa edhe bankat greke do të vijojnë të mbeten të mbyllura gjatë së martës dhe së mërkurës minimalisht, drejtuesja menaxheriale e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde shprehu gatishmërinë për mbështetje.

“FMN-ja ka marrë në konsideratë rezultatin e referendumit të mbajtur një ditë më parë në Greqi. Jemi duke monitoruar në themel situatën atje dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë Greqinë, nëse do të nevojitet ta bëjmë këtë gjë”, tha Lagarde.

Ndërkohë, ministri francez i Financave tha se, vota ‘Jo’ nuk zgjidhi asgjë, duke shtuar se qeveria e Parisit do e kishte mbështetur Tsiprasin më shumë, nëse ky i fundit do të ishte treguar serioz në reagimet e tij.

Nga ana tjetër, Sekretari britanik i Shtetit, George Osborne u shpreh se tani Europa përballet me sfidën më të madhe të dekadës së fundit, për një largim të mundshëm të Greqisë dhe Anglisë nga Bashkimi Europian.

Presidenti i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem e cilësoi rezultatin e referendumit si “për të ardhur keq”, ndaj i mëshoi faktit se masat shtrënguese janë të nevojshme për t’i dhënë një dorë rimëkëmbjes së ekonomisë në vend. Megjithatë, vetë Dijsselbloem është vënë në qendër të akuzave nga kryetari i partisë opozitare holandeze, i cili i ka kërkuar të japë dorëheqjen, për atë që e cilësoi si një dështim të Jeroen Dijsselbloem për të bindur Greqinë, që të ndjekë reformat e propozuara nga Bashkimi Europian.

Tashme, ai që pritet t’i japë një drejtim të gjithë skenarëve të supozuar, se çdo të ndodhë me Greqinë, është samiti i jashtëzakonshëm i Bashkimit Europian ditën e martë, ku priten edhe propozimet më të reja të Athinës.

Top Channel