Irani kërkon heqjen e sanksioneve për raketat balistike, Perëndimi refuzon

06/07/2015 00:00

Mosmarrëveshja në lidhje me sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj programit të raketave balistike të Iranit, si dhe embargoja më e gjerë e armëve kanë qenë ndër çështjet kryesore të diskutuara në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje bërthamore mes Teheranit dhe 6 superfuqive të botës këtë të hënë, ditës së parafundit nga limiti që kanë vendosur vetë ata.

“Iranianët kërkojnë që të hiqen sanksionet ndaj raketave balistike. Sipas tyre, nuk ka asnjë arsye për t’i lidhur këto raketa me çështjen bërthamore, një pikëpamje që vështirë se do të pranohet”, tha një zyrtar i Perëndimit për “Reuters”. “Nuk ka asnjë interes nga ana jonë për ta bërë diçka të tillë nxitimthi”.

Zyrtarë të tjerë iranianë dhe perëndimorë konfirmuan këtë ngërç. Ministrat e Jashtëm të të ashtuquajturës “P5+1”, ku përfshihen Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, janë takuar të hënën me ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif, teksa priten të takohen sërish brenda pak orësh, në përpjekje për të arritur një marrëveshje deri në mesnatën e së martës.

“Perëndimi këmbëngul se, programi i raketave balistike të Iranit jo vetëm duhet të qëndrojë nën sanksione, por Irani duhet ta pezullojë tërësisht atë”, tha një zyrtar iranian. “Megjithatë, Irani thjesht po këmbëngul në të drejtën e tij, duke thënë se të gjitha sanksionet, përfshi edhe ato ndaj raketave balistike, duhen hequr kur të hiqen sanksionet e OKB-së pas marrëveshjes”.

Në një ngjarje tjetër, një zyrtar iranian ka thënë për reporterët në Vjenë, edhe pse nuk ka preferuar të identifikohet, se Teherani kërkon që të përfundojë edhe embargoja e armëve nga OKB kundrejt Republikës Islamike. Një lëvizje që, sipas një diplomati perëndimor, nuk është çështje në diskutim.

Marrëveshja që pritet të nënshkruhet pas këtyre diskutimeve synon të kufizojë punën kryesore dhe atë më të ndjeshme bërthamore të Teheranit, ndoshta për një dekadë ose edhe më gjatë, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve që kanë goditur ndjeshëm eksportet iraniane të naftës dhe kanë dëmtuar ekonominë e vendit islamik.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i frikësohen faktit se Irani është duke përdorur programin civil bërthamor si një mbulim për zhvillimin e aftësive për armë bërthamore, gjë që Irani e hedh poshtë kategorikisht, duke thënë se programi i tij është paqësor.

Marrëveshja do të ishte arritja më e madhe dhe më e rëndësishme në disa dekada, drejt zbutjes së armiqësisë mes SHBA-ve dhe Iranit, armiq të betuar që prej ngjarjes së vitit 1979, kur revolucionarë iranianë morën 52 pengje në Ambasadën amerikane në Teheran.

Top Channel