Arma e Greqisë: Ç’ishte e mirë për Gjermaninë në 1953, është e mirë për Greqinë në 2015-n

06/07/2015 00:00

Argumentet e përdorura nga qeveria greke për të siguruar një lehtësim të borxhit i kanë gjurmët nga një kohë e largët, në atë fjalim shumë pak të raportuar të bërë nga studentë të Universitetit të Harvardit, më 5 qershor 1947.

Ishte pikërisht ai event, ku George Marshall, në atë kohë Sekretar Shteti në Amerikë, hodhi idenë e një programi europian të rindërtimit ekonomik. Amerikanët e kishin vënë re mirë, që Europa ishte buzë greminës dhe kolapsit ekonomik. Kapacitetet industriale ishin shkatërruar tërësisht, ndërkohë që tregtia kishte pushuar së ekzistuari. Njerëzit po bëheshin gjithnjë e më të uritur dhe – në këndvështrimin e Marshallit, – në rrezik për t’u rikthyer në komunizëm.

Pavarësisht se rezultoi pika e kthesës së ekonomive të Europës pas Luftës së Dytë Botërore, fjalimi i Marshallit nuk u konsiderua si i një rëndësie të veçantë në atë kohë. Departamenti i Shtetit nuk u shqetësua aspak t’i thoshte dikujt në Europë se çfarë po kërkonte të shprehte ai, ndërsa Ambasada britanike në Uashington as nuk e mendoi se ia vlente “barra qiranë” për të dërguar një kabllogramë me një kopje të fjalimin drejt Londrës.

Por, ai fjalim u mbulua me kujdes të jashtëzakonshëm nga një korrespondent i BBC-së në Uashington dhe, me fatin në krah, raporti i tij u dëgjua nga ish-Sekretari i Jashtëm britanik i asaj kohe, Ernest Bevin, nga një regjistrues që mbante me vete. Bevin shfrytëzoi mundësinë e jashtëzakonshme të ofruar prej amerikanëve, të cilët ishin shprehur se europianët duhej të riorganizonin planet e tyre vetiake të disbursimit të parave. “Ai fjalim ishte si një fije e hollë, ku mund të mbahej një njeri që rrezikonte të mbytej, – tha ai disa kohë më vonë. – Ai na dha shpresë edhe aty ku dukej se gjithçka ishte shuar”.

Shumë mësime u nxorrën nga gabimet e bëra pas Luftës së Parë Botërore. Në atë kohë, fuqitë aleate fitimtare kishin vendosur një paqe ndëshkuese ndaj Gjermanisë, duke kërkuar reparacione të mëdha që shtuan pakënaqësitë.

Marshall u përpoq të gjente një tjetër qasje. Përgjatë 4 viteve, Shtetet e Bashkuara ofruan 13 miliardë dollarë për Europën (ekuivalenti i sotëm rreth 150 miliardë dollarë), me shpresën se këto parà do të ndihmonin në rindërtimin e kapaciteteve ekonomike, duke rikthyer mundësinë e tregtisë mes vendeve, si dhe duke shmangur kërcënimin e Bashkimit Sovjetik të Stalinit. Gjithsesi, nuk ishte një veprim tërësisht altruist. SHBA-të në atë kohë prodhonin sa 50% e prodhimit të të gjithë botës bashkë, ndaj dhe kishte nevojë për tregje të reja për të eksportuar. Mungesa e kërkesës në vende si Franca, Italia dhe Gjermania në 1947-n nënkuptonte se kjo ishte e pamundur.

Britania ishte i vetmi dhe vendi që përfitoi më shumë nga plani Marshall, duke marrë më shumë se 1/4-ta e totalit të ndihmës. Gjermania mori 1,4 miliardë, apo 11% të totalit, 4 herë më shumë sesa shuma që mori Greqia.

Hans Werner-Sinn, president i “think tank”-ut IFO në Mynih, theksoi 3 vite më parë se ndihma e planit Marshall ishte sa 4% e PBB-së në Gjermani në atë kohë, ndërsa Greqia, po në atë kohë, mori një ndihmë ekonomike sa 200% e prodhimit kombëtar.

Megjithatë, kjo anashkalon dy pika. E para, pakënaqësia greke ndaj pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa e dyta, transfertat e drejtpërdrejta të parave ishin vetëm pjesë e ndihmës që Gjermania mori përmes planit Marshall. Më shumë e rëndësishme nga sasia prej 1,4 miliardë dollarë që ajo mori, ishte fakti që borxhet iu lehtësuan në Konferencën e Londrës të vitit 1953.

Në ditët e sotme, ajo që po kërkon të argumentojë kryeministri grek, Alexis Tsipras, është pikërisht fakti se, çfarë ishte e mirë për Gjermaninë në vitin 1953, mund të rezultojë e mirë për Greqinë në vitin 2015.

Top Channel