“Shqip” nisi me Divjakën ciklin e emisioneve kushtuar turizmit

06/07/2015 00:00

Shqipëria ka çfarë u ofron turistëve, si vendas ashtu edhe të huaj, e njëra prej tyre është edhe Divjaka, një lagunë e pasur me faunën dhe florën e saj.

E pikërisht nga Laguna e Karavastasë në Divjakë, “Shqip” me Rudina Xhungën nisi ciklin me emisionet kushtuar turizmit. Në pjesën e parë të emisionit foli Taulant Bino, nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare.

Ai tha se zona ka interes dhe pasuri të jashtëzakonshme për biodiversitetin që mbart, por dallohet veçanërisht për pasurinë e shpendëve në çdo stinë. Bino përmendi këtu pelikanin kaçurrel, një shpend i rrallë që deri para pak kohësh rrezikohej të zhdukej nga kjo lagunë.

Në pjesën e dytë biseda u zhvendos në një panel të improvizuar në natyrën që ofron Divjaka, ku të ftuar ishin ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, Ardian Koçi, drejtor i Zonave të Mbrojtura të Fierit, Shpëtim Nazarko, analist dhe Gjergj Luca, kryetar i Konfederatës së Peshkimit.

I pari që mori fjalën ishte ministri Panariti. Ai u ndal fillimisht tek dezinsektizimi i zonës.

“Dezinsektizimi i zonës duhet realizuar me një plan të mirëmenduar. Mund të përdorim edhe metoda biologjike, siç janë këto grackat biologjike dhe këtë po diskutojmë më fort së bashku me drejtorin”, tha Panariti.

Ministri vlerësoi moratoriumin e Qeverisë që ka çuar në shtimin e shpendëve, sidomos atyre që janë në zhdukje.

“Përparësi këtu ka ruajtja e faunës, sidomos pelikanit kaçurrels, që sot është 46 çifte. Dikur kemi pasur vetëm 20 çifte. Kjo do të thotë që moratoriumi ka dhënë efekt”, deklaroi ai.

Një tjetër problem i hasur është edhe sasia e ujit, në disa zona të Lagunës.

“Studimet kanë treguar që kemi një cektim të Lagunës, që do të thotë se Laguna nuk po komunikon aq sa duhet me detin, ndaj edhe këtu do të duhet një ndërhyrje”, sqaroi ministri.

Ka pasur një sërë investimesh dhe ndërhyrjesh nga shteti këto kohë në Lagunë, për ta bërë atë më tërheqëse për vizitorët. Por ka një debat se kush duhet të investojë dhe menaxhojë zona të tilla, shteti apo sipërmarrës privatë të kontraktuar nga shteti?

Ministri Panariti tha se po studiohen një sërë praktikash të aplikuara me sukses në vendet perëndimore, ku sipërmarrësve u lihet në dorë menaxhimi i parqeve dhe zonave turistike.

Mbështetës i kësaj ideje ishte edhe kreu i Konfederatës së Peshkimit, Gjergj Luca. Ai tha se një sipërmarrës që ka lidhur jetën dhe të ardhmen e vet me biznesin e tij ofron një menaxhim më të mirë sesa një drejtor i emëruar i administratës.

Por kundër kësaj ideje doli analisti Shpëtim Nazarko, i cili tha se asnjëherë një sipërmarrës privat nuk do të vendosë interesat e publikut mbi ato personale.

Top Channel