Durrës, 6 të arrestuar për trafik droge. Ndër ta, edhe biznesmenë të njohur

07/07/2015 00:00

Gjashtë persona nga qyteti i Durrësit, mes të cilëve dhe biznesmenë të njohur, janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit “Ricarica 2013”.

Të arrestuarit akuzohen në Itali për “krijim të organizatave kriminale” dhe “trafikim të lëndëve narkotike”, bëjnë të ditur burime policore lokale.

Në arrest për llogari të drejtësisë italiane janë vënë shtetasit: Kastriot Dyrmyshi 32 vjeç, Artur Tepshi 49 vjeç, Edmond Tepshi 52 vjeç, Laert Teneqexhi 25 vjeç, futbollisti Guido Tepshi 24 vjeç, si dhe Luan Tepshi 46 vjeç.

Të arrestuarit kanë aktivitete në fushën e ndërtimit, peshkimit, karburanteve, etj. Operacioni për kapjen e tyre është organizuar nga Sektori për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe zyrën e Interpol Tiranës.

Rrjeti u godit pas mbërritjes së urdhër-arresteve të lëshuara nga Gjykata e Firences në Itali, më datë 23 mars të këtij viti.

Top Channel