Dhoma Zgjedhore, rekomandime për proceset zgjedhore

07/07/2015 00:00

Pas monitorimit të procesit zgjedhor, rolit të medias, cilësisë së fushatës elektorale dhe faktorëve të tjerë që lidhen me procesin elektoral, Dhoma Zgjedhore ka dalë me 13 rekomandime bazuar në parregullsitë dhe problematikën e konstatuar në zgjedhjet e 21 Qershorit.

“Rekomandojmë ndryshime në Kodin Zgjedhor për të siguruar që sistemi zgjedhor të krijojë mundësi të barabarta në garim, sidomos për kandidatët apo partitë që duan të garojnë jashtë koalicioneve të mëdha. Kështu, do të sigurohet barazia e votës së qytetarëve, pavarësisht se për kë subjekt votojnë. Rekomandojmë që të ndërmerren hapat e nevojshme që në zgjedhjet e ardhshme vendore partitë të garojnë me lista të hapura për këshillin bashkiak. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi që të njihen me përfaqësuesit e tyre. Gjithashtu, duhen marrë masat që të garantohet votimi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë”, tha Lutfi Dervishi.

Dhoma Zgjedhore rekomandon që ligji për dekriminalizimin të pengojë të kandidojnë persona me të shkuar kriminale edhe për zgjedhjet vendore, duke përfshirë madje edhe këshilltarët bashkiakë.

Në 13 rekomandimet përfshihen mbrojtja ligjore për punonjësit e administratës publike që të mos përdoren për fushata elektorale, ndëshkimi nga KQZ-ja i subjekteve politike që shkelin ligjin, krijimin e kushteve për të votuar personat me aftësi të kufizuara si dhe rikompozim të funksionit dhe kompetencave të bordit drejtues të mediave audiovizive për ta bërë atë më të paanshëm dhe më efektiv në monitorimin e mediave.

Top Channel