Në raportin e saj më të fundit, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, vë në pah keqtrajtimin e refugjatëve në Ballkan dhe kritikon politikat e strehimit në BE.

Mijëra refugjatë, strehimkërkues dhe migrues, përfshirë fëmijë, që po marrin rrugën e rrezikshme nëpër këtë rajon, thotë “Zëri i Amerikës” duke cituar raportin në fjalë, po pësojnë dhunë dhe zhvatje nga autoritetet dhe bandat kriminale dhe janë braktisur turpshëm nga sistemi i dështuar i strehimit dhe emigracionit të Bashkimit Evropian, i cili i ka lënë në kurth e pa mbrojtje në Serbi dhe Maqedoni.

Dhuna ndaj të ardhurve në këto dy vende e në Hungari dëshmon sipas organizatës prestigjoze se një numër gjithmonë e më i madh njerëzish në nevojë janë lënë në harresën e një boshllëku ligjor anëkënd Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga kthimet dhe dëbimet në çdo kufi, qasja e kufizuar në strehim dhe mungesa e rrugëve të sigurta e ligjore në BE.

“Refugjatët që i largohen luftërave dhe përndjekjeve e bëjnë këtë rrugë me shpresën se do të gjejnë siguri në Europë, për ta gjetur veten viktima të dhunës e shfrytëzimit dhe në mëshirën e një sistemi të dështuar të strehimit”, thotë Gauri van Gulik, zëvendësdrejtoreshë e Amnesty International për Europën dhe Azinë qendrore. Serbia dhe Maqedonia, vazhdon ajo, janë shndërruar në një batak të vërshimit të emigranteve, të cilët duket se askush në bllokun europian nuk është i gatshëm t’i pranojë.

Raporti është mbështetur në katër misione hulumtuese në Serbi, Hungari, Greqi e Maqedoni, ndërmjet korrikut të vitit 2014 e marsit të vitit 2015 dhe intervistimit të mbi 100 refugjatëve dhe migruesve. Dëshmitë e tyre zbulojnë kushtet tronditëse me të cilat përballen ata që udhëtojnë nëpër rrugët e Ballkanit perëndimorë. Më pak vdekjeprurëse rezulton rruga që marrin refugjatët nëpërmjet detit nga Turqia në Greqi dhe pastaj në kalime tokësore nga Maqedonia në Serbi dhe në Hungari, të cilat për çdo rast mbeten më pak të rrezikshme se rruga detare nga Libia.

Që nga janari i vitit 2014, 123 refugjatë janë mbytur duke tentuar të kalojnë në Greqi përmes Mesdheut dhe 24 të tjerë kanë humbur jetën në hekurudha.

Top Channel