Obama: Më shumë kundër ISIS-it

07/07/2015 00:00

Shtetet po e intensifikojnë luftën kundër Shtetit Islamik, sidomos në veri të Sirisë. Por, presidenti Barack Obama deklaroi se fushata anti-ISIS ka për të qenë afatgjatë dhe jo e shpejtë.

Militantët e grupit ekstremist janë të shkathet, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë, dhe dinë ta shfrytezojnë mirë terrenin e pozicionet që kanë brenda popullsisë civile. Nga pohimet e tij u bë e qartë se Uashingtoni nuk do të dërgojë trupa shtesë në Siri, por do të shtojë mbështetjen për opozitën e moderuar të vendit.

Mposhtja e ISIS-it, sipas Obamës, duhet të jetë punë e forcave lokale, të cilat, shtoi ai, do të vazhdojnë të marrin trajnim dhe mbështetje ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Po i shtojmë përpjekjet tona kundër ISIS-it në Siri. Sulmet ajrore të koalicionit do të vazhdojnë të marrin në shënjestër komplekset e naftës dhe gazit që financojnë pjesën më të madhe të operacioneve të këtij grupi. Kur të kemi një partner efikas në terren, ISIS-i do të mund të zmbrapset”, tha Obama.
 
Presidenti i bëri komentet pas një vizite të pazakontë në Pentagon për të biseduar me këshilltarët e sigurisë kombëtare, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes, Ash Carter, lidhur me detajimin e strategjisë amerikane për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik, të cilët po veprojnë në shkallë të gjerë në Irak dhe Siri.

Takimi vjen pas një fundjave sulmesh ajrore intensive të ndërmarra nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA kundër militantëve, të cilët kanë nën kontroll hapësira të mëdha të Irakut verior e perëndimor dhe të Sirisë lindore. Koalicioni ndërmori 38 sulme, gati gjysma e tyre në rrethinat e kryeqytetit të vetëshpallur të ISIS-it, Raqqa.

Top Channel