Propozime për forcimin e Kodit Penal, Tahiri: Bashkim mekanik dënimesh, kapot e krimit të izolohen në burg

07/07/2015 00:00

Maxhoranca qeverisëse pritet të kërkojë ndryshime ligjore në Kodin Penal. I thirrur në komisionin e sigurisë kombëtare, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kërkoi burg të veçuar që shefat e krimit të mos drejtojnë bandat nga burgu, dhe të ketë bashkim mekanik të masave të dënimit për secilën vepër penale, kur autori shpallet fajtor për disa të tilla.

“E para, regjimin e përforcuar të burgut, do të thotë që një kategori e caktuar personash të jenë në regjim të përforcuar, që është shumë më e vështirë për t’i lejuar të tillë të burgosurve kontakte me botën e jashtme dhe të vazhdojnë lidhjet apo drejtimin e botës kriminale nga brenda qelive. Të mos vuajnë burgun si gjithë të tjerët, po të vuajnë një regjim më të ashpër dhe më të përforcuar të burgut.

Dhe e dyta, për një sërë veprash penale të mos bëhet bashkimi i dënimeve me përthithje, pra, dënimi më i rëndë përthith dënimin më të vogël. Por të bëhet bashkimi mekanik i dënimeve, dhe të dënohet për të dy veprat, në përfundim të të cilave të marrë bashkim mekanik”, tha ministri Tahiri.

Ministri i Brendshëm deklaroi se, me paratë e drogës në Lazarat korruptohej Policia e Shtetit, drejtësia dhe vendimmarrja politike.

Top Channel