Euclid Tsakalotos mund të jetë një personazh jo aq pompoz e i hedhur sa parardhësi i tij Yanis Varoufakis, por këndvështrimin ndaj krizës së borxhit nuk e ka më pak të ngurtë.

Edhe pse analistët pajtohen thuajse të gjithë në një pikë: atë që 55-vjeçari Tsakalos nuk ka për të qenë bombastik sa Varoufakis në diskutimet me kreditorët ndërkombëtarë, një pjesë ndajnë bindjen se në tryezën e negociatave, qëndrimi i tij mund të jetë dhe më i ashpër.

Tsakalotos ka lindur në Holandë, ka kryer studimet e larta për shkenca ekonomike në Universitetin e Oksfordit e përpara se të merrte nga Varoufakis stafetën e kryenegociatorit të Greqisë në bisedimet e borxhit në muajin prill, ka shërbyer si ministër i Çështjeve ekonomike ndërkombëtare.

Ky anëtar i hershëm i Syrizës, ndryshe nga Varoufakis i ardhur rishtaz, ishte zgjedhja më e kuptueshme për postin e kreut të ri të financave. Stili i tij, më pak konfrontues, me siguri do të mirëpritet nga huadhënësit.

Por, edhe pse i qetë, nuk është tip që lëkundet lehtë. Në një intervistë për gazetën franceze “Liberation” muajin e kaluar, Varoufakis argumentonte se kreditorët e Greqisë nuk dukeshin të përgatitur për kompromis, ndërsa nga ana tjetër shfaqeshin të vendosur të impononin kërkesa, sipas tij, jorealiste.

Duke dëshmuar të njëjtën prirje për shpërthime retorikash, Tsakalos deklaronte në mars se Athina nuk kërkon trajtim special; kërkon trajtim të barabartë mes të barabartësh në kontinentin e vjetër.

Ai pati këmbëngulur atëherë se qeveria e Syrizës ishte thellësisht pro-Europës dhe se dëshironte një program të zbatueshëm ekonomik brenda zonës së euros.

Sipas korrespondentëve të huaj, prioriteti më i ngutshëm i Tsakalosit me të marrë frerët e Ministrisë së Financave do të jetë ta shtyjë BQE-në të garantojë një injektim fondesh emergjence për bankat greke, të cilave po u shterojnë paratë, çka mund që shumë shpejt, pavarësisht kontrolleve të kapitalit të vendosura prej më shumë se një jave, të falimentojnë.

Pas kësaj do të tentojë të bindë liderët e Eurozonës që t’i japin shtetit helen edhe një shans tjetër, e nëse dështon do të përballet me agoninë e negocimit të asaj që, siç thotë, nuk e ka dëshiruar kurrë: daljen e Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët.

Top Channel