Porto ofron 5 milionë euro në vit për portierin Casillas

07/07/2015 00:00

Porto kërkon shërbimin e Iker Casillas. Lajmi publikohet nga e përditshmja “Diario de Noticias”, sipas së cilës, skuadra luzitane i ka ofruar një kontratë me një pagë prej rreth 5 milionë euro në vit, që e bën atë lojtarin më të paguar në kampionatin portugez.

Porto shpreson në arritjen e një marrëveshjeje me portierin spanjoll në ditët në vazhdim për ta zyrtarizuar transferimin e tij, të enjten e ardhshme. Porto e shfaqi interesin e tij për portierin Iker Casillas para dy muajsh. Ishte trajneri Julen Lopetegui ai që u kërkoi drejtuesve të klubit të nisin bisedimet me Realin e Madridit, kur mësuan dëshirën e madrilenëve për të kthyer në Spanjë portierin David De Gea.

Megjithatë, problemi qëndron në gjetjen e një marrëveshjeje mes Realit të Madridit dhe vetë portierit, si dhe me skuadrën e Manchester United për De Gea. Klubi anglez këmbëngul në qëndrimin e tij për të mos e lejuar portierin e tij të shkojë te Reali dhe do të pranojë këtë transferim, vetëm nëse skuadra spanjolle pranon të nisë bisedimet për përfshirjen në operacion të Sergio Ramos.

Top Channel