Kosovë, Kuvendi mblidhet të enjten. Specialja, jashtë rendit të ditës

07/07/2015 00:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet këtë të enjte më 9 korrik, por në rend të ditës sërish nuk është futur votimi për formimin e Gjykatës Speciale.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se janë në pritje të qeverisë për riprocedim të amendamentit për ndryshimet kushtetuese, ndërsa bëri thirrje që nga ky proces spektri politik të dalë i bashkuar.

“Ne presim nga qeveria e Kosovës iniciativën, pastaj Kryesia e Kuvendit do të procedojë. Ajo çka dëshiroj të ritheksoj është se është shumë me rëndësi që gjatë kësaj kohe të ruajmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë perëndimorë. Në të njëjtën kohë, nga kjo situatë duhet të dalim më të bashkuar. Kurrësesi nuk dijet të dalim të ndarë më vete si spektër politik”, deklaroi Veseli.

Kryeparlamentari kosovar foli pas mbledhjes së Kryesisë edhe për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe mundësisë së kompromiseve për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Veseli i bëri thirrje qeverisë që të mos bëjë kompromise në dëm të sovranitetit, por të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

“Unë jam i bindur se qeveria e Kosovës do të bartë me vete vullnetin e qytetarëve të Kosovës, se ajo do ta ruajë tërësinë e sovranitetit. Nuk besoj se ne duhet të mendojmë tani për paragjykime të kompetencave ekzekutive, që krijojnë pushtete të dyta dhe të treta. Realisht, ligjet i kemi këtu, Kushtetutën e kemi. Asgjë nuk duhet më shumë sesa t’i respektojmë ligjet”, tha Veseli.

Sa i përket seancës plenare që do të mbahet të enjten, Kryesia e Kuvendit vendosi që deputetët të shqyrtojnë projektligjin për rishikimin e buxhetit të Kosovës dhe projektligjin për faljen e borxheve publike për qytetarët.

Top Channel