Asociacioni që ndan Prishtinën me Beogradin, Tahiri: Kurrsesi pushtet ekzekutiv

07/07/2015 00:00

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë ende larg përafrimit të qëndrimeve për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kjo, për faktin se pala serbe ende këmbëngul në kompetencat ekzekutive të shoqatës.

Këtë e bëri të ditur ministrja për dialogun, Edita Tahiri, në një tryezë të shoqërisë civile ku u prezantua në publik aspekti sesi Prishtina dhe Beogradi e shohin krijimin e këtij mekanizmi. Tahiri ritheksoi se asocacioni nuk do të mund të ketë vendime ekzekutive për të vepruar në emër të komunave.

“Askund në botë asociacionet nuk kanë kompetenca ekzekutive, prandaj ne kemi menduar dhe e kemi thënë hapur që Serbia me disa kërkesa joreale përpiqet të arrijë diçka për minoritetet jashtë saj e që nuk është në gjendje t’i ofrojë në vetë Serbinë. Në anën tjetër, ne, kur flasim për bazën ligjore të shtetit tonë dhe Kushtetutën, kemi parasysh edhe Kartën Europiane për vetëqeverisje lokale, e cila e saktëson qartë si krijon asociacionet dhe si komunat kanë të drejtën ekskluzive dhe se ato duhet të mbrohen dhe garantohen me Kushtetuën e secilit vend, këtu të Republikës së Kosovës”, deklaroi Tahiri.

Analisti serb nga Beogradi, Dushan Janjiç paraqiti dy këndvështrime përsa i përket asociacionit. Ai tha se autoritetet po përgatisin një model “sui generis” të këtij mekanizmi, por nga ana tjetër ai kritikoi Beogradin zyrtar se i ka mashtruar serbët e Kosovës, duke u thënë se në Kosovë do të krijohet një republikë serbe e ngjajshme me atë në Bosnje.

“Mua më kujtohet që në zgjedhje ka qenë një parullë me mbishkrimin “Sot e votoni partinë serbe, më vonë do të keni përparësi”. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka reaguar në lidhje me këtë dhe kemi menduar se ekziston një pajtueshmëri, por unë mendoj se kjo është e rrezikshme sepse personave që jetojnë në veri u është dhënë një shpresë e rremë se do të jetë një republikë serbe e re. Dhe, siç tha zonja Tahiri, unë pajtohem se asociacioni dhe bashkësia nuk do të ketë qeverisje ekzkeutive, do të jetë shumë e vështirë kur flitet për të sepse ajo do të ketë një model ‘sui generis’ dhe mund ta ndërlikojë jetën e një shteti siç është Kosova, që ka 2 milionë njerëz”, tha Janjiç.

Pikërisht për të arsyetuar nga njëra anë pritjet e Beogradit nga asociacioni dhe nga ana tjetër qëllimin e Prishtinës për integrimin e serbëve përmes kësaj shoqate, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale e ka titulluar raportin “Asociacioni/Bashkësia dy emra, dy qëllime”.

“Gjatë intervistave dhe monitorimit të mediave në Beograd, ata nuk e mohojnë dhe nuk e fshehin qëllimin e tyre për të krijuar një entitet politik i cili do të kishte qëllime politike dhe që e kanë lidhur tashmë me një fjali, se mbijetesa e komunitetit serb ndërlidhet me funksionimin e këtij asociacioni”, tha Besnik Tahiri, drejtor i Institutit.

Sa i përket qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare të përmendur në raport, theksohet rëndësia e krijimit të tij, sepse mundëson zhbërjen e strukturave paralele serbe. Ndërkohë që funksionimi do të rregullohet me statutin që është duke u përpiluar aktualisht.

Top Channel