Gri, uthull e ftohtë, mavi, e zeza që nuk mungon, por edhe ndonjë portokalli e përflaktë apo një mente e butë. Ngjyrat e propozuara nga Versace për sezonin e ri vjeshtë-dimër lënë mjaft hapësirë kombinimi.

Vetëm se, shtëpia prestigjioze e modës, këtë herë fustanet i sjell të gjitha o me dantella, o me frunda të lehta e të dendura, që e veshin femrën e Versaces me një tis joshjeje, pa humbur elegancën.

Yjet nuk ngurruan të përqafonin idetë më të fundit të gjigantit italian të modës. Në sfilatën me veshje “Haute Couture” të Aterlier Versace në Paris, Rossie Huntington-Whiteley kishte zgjedhur një fustan të zi, të hapur e të tejdukshëm, me lule të zeza të qëndisura në pjesën e bustit, të pakta sidoqoftë e në harmoni të plotë me pjesën tjetër, ku ndërthureshin guximshëm edhe vija të tipit të korsesë.

Mund të thuhet pa frikë se, bukuroshja 28-vjeçare nuk kërkoi fare të bënte lojë të sigurtë. Me dantellat, gurët, teminat e thjeshta e zbukurimet floreale, që mbushnin hijshëm veshjet e këtij koleksioni, Versace ka dalë nga “zona e saj e rehatisë”, duke lënë mënjanë atë imazhin e fortë e jo të ndërlikuar, për të cilin është e famshme, duke preferuar një vizion më të butë e të prekshëm feminiliteti.

Top Channel