EULEX, Meucci: Nëse themelohet Specialja, fund ‘task forces’ sonë për krimet e luftës

07/07/2015 00:00

Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci ka komentuar në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale.

Ai tha se, nëse Kuvendi i Kosovës arrin t’i miratojë ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, “task forca” për hetimin e krimeve të pretenduara gjatë luftës në Kosovës, që është në kuadër të EULEX-it, do të mbyllet.

I pyetur nga gazetarët, Meucci ka mohuar spekulimet se, nëse Kuvendi nuk i jep “dritën jeshile” formimit të Gjykatës Speciale, EULEX-i mund të marrë hetimin e krimeve të pretenduara nga ish-ushtarët e UÇK-së.

“Unë do të thoja se është e kundërta e asaj që ju pyetët. Aktualisht, “task forca” për hetimin e këtyre krimeve, si dhe ekipi përgatitor për gjykatën janë në kuadër të EULEX-it. Nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet kushtetuese, “task forca” dhe gjykata ose dhomat e specializuara do të jenë pjesë e sistemit kosovar, e jo të atij të EULEX-it. Kështu që, ne e përfundojmë aty pjesën tonë”, tha Gabriele Meucci, shefi i EULEX-it.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, shtoi se qëllimi është përfundimi i punës së këtij misioni.

Ndërsa i pyetur se, a pret ai që Kuvendi i Kosovës të kalojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, Meucci tha se kjo pyetje duhet t’iu bëhet deputetëve.

Këto komente, shefi i EULEX-it i bëri të martën, gjatë ceremonisë zyrtare të pranim-dorëzimit të 15 makinave, që EULEX dhuroi për Departamentin e Antikontrabandës në Doganën e Kosovës.

Top Channel