Shkarkimi i vajrave që ndotin plazhet, nis patrullimi në bregdet

07/07/2015 00:00

Agjencia e Mjedisit ka zhvilluar disa analiza në ujërat e bregdetit të Dhërmiut, Palasës dhe Jalës, të cilat kanë rezultuar të ndotura.

Anijet që kalojnë në ujërat ndërkombëtare kanë shkarkuar vajrat e përdorura, çka është e ndaluar me ligj. Kreu i Inspektoriatit të Mjedisit, Ergys Agasi, tha se për të ndaluar këtë fenomen është nënshkruar një marrëveshje me policinë kufitare dhe Kapitenerinë e Vlorës, që i detyron inspektorët të shoqërojnë çdo anije që kalon në ujërat tona.

“Eshtë nënshkruar një marrëveshje mes Inspektoratit të Mjedisit, drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Kapitenerisë së Portit të Vlorës, e cila sot është në gatishmëri me dy grupe kontrolli të përbashkët, që shoqërojnë çdo anije që kalon në ujërat ndërkufitare dhe është problem apo rrezik për bregdetin tonë”, thotë Agasi.

Prej vitesh, anijet që kalojnë në ujërat tona kanë shkarkuar vajrat e përdorura.

“Një nga këto anije që kalon në zonën ndërkufitare ka bërë shkarkim të kundërligjshëm të vajit të përdorur”, vijon Agasi.

Plazhet e jugut të Shqipërisë mbeten më të preferuarit, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për turistët e huaj, ndaj Inspektoriati i Mjedisit tha se incidente të tilla nuk do të ketë më.

Top Channel