Dikur, fluturimi me helikopter në Shqipëri ishte privilegj i pak personave. Kjo, jo vetëm se helikopterët ishin pronë e shtetit, por dhe për koston e lartë.

Sot, të gjithë e kanë të mundur ta “prekin” qiellin. “Viva Air, Albanian Helicopter Service”, prej një viti e gjysmë bën fluturime civile në të gjithë Shqipërinë.

Kompania, me qendër në Baldushk, ka në dispozicion 5 helikopterë: 2 “Robinson”, 2 “AS 350” dhe një helikopter “VIP AS 355”.

Shërbimet janë nga më të ndryshmet, që nga guidat turistike për ata që duan të eksplorojnë vendin tonë nga ajri, fluturimet VIP, punime ajrore, trajnimet për pilotët e rinj, e deri te ndërhyrjet e emergjencës apo evakuimet.

Piloti gjerman i kompanisë, Ditlev Genze po bëhej gati për fluturimin e radhës. Pas nxjerrjes së “AS 355” nga hangari, kontrolli përfundimtar nuk është kurrë i tepërt.

Ndezja e motorëve është bërë ritual për profesionistin, i cili numëron qindra orë fluturimi mbi qiejt e Europës. Mjafton të fluturosh një herë me tipin luksoz dhe adrenalina është siguruar.

Kjo, falë edhe manovrave të pilotit. Në vitet 2007-2009, disa tipe helikopterësh të kompanisë morën pjesë në shuarjen e zjarreve në jug, duke ndihmuar kështu shtetin shqiptar.

Të gjithë helikopterët figurojnë në regjistrin elektronik të Emergjencave Civile europiane, çka do të thotë se, nëse ndonjëri nga vendet fqinje kërkon ndihmë, ata nisen menjëherë.

Qielli tashmë nuk është limiti. Nëse doni të provoni një fundjavë ndryshe, “Viva Air Albania” mund të jetë një alternativë e mirë.

Top Channel