Konkursi për Parkun e Liqenit, “Ne Tirana”: Qeveria nisi projektin e betonizimit

07/07/2015 00:00

Grupimi “Ne Tirana” ka reaguar lidhur me konkursin e shpallur një ditë më parë nga kryeministri Rama për ndërtimet pranë Korpusit të Universitetit, duke deklaruar se “ajo që paralajmëruam një muaj më parë po ndodh me projektin që ka propozuar qeveria”.

“Ne kërkojmë që këto plane të ndalen menjëherë. Kjo hapësirë t’i rikthehet parkut. Jemi të vendosur për t’u kërkuar referendum qytetarëve të Tiranës për ndalimin e kthimit në tokë ndërtimi të hapësirave të gjelbërta. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të ndalur betonizimin e Parkut të Liqenit. Do të kërkojmë mbështetjen e çdo qytetari të Tiranës të na bashkohen në këtë përpjekje”, thuhet në një komunikatë.

Grupimi i drejtuar nga Gjergj Bojaxhi thekson se, politika duhet të fillojë t’u shërbejë qytetarëve dhe jo oligarkëve të këtij vendi, duke nënvizuar se “etja e shfrenuar për pushtet dhe para e drejtuesve politikë nuk ndalet para asgjëje”.

“Siç kemi denoncuar, ndërtimet mund të fillojnë që tek Korpusi, Diga e Liqenit, tek zona përballë Fakultetit Ekonomik dhe përreth gjithë kurorës së liqenit. Këto projekte u mbajtën në hije gjatë fushatës elektorale dhe tashmë po shpërthejnë, kur vëmendja është më e vogël dhe kur qytetarët po përgatiten për pushime”, vijon komunikata.

Grupimi “Ne Tirana” mendon se “mbështetja e medias dhe e qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike është thelbësore” dhe se “referendumi është e vetmja zgjidhje për të ndaluar shkatërrimin e të vetmes hapësirë që u ka mbetur qytetarëve”.

Top Channel