Dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE në pushtet dhe LSDM në opozitë, nuk po arrijnë të përafrojnë qëndrimet për finalizimin e marrëveshjes për zgjidhjen e ngërçit politik.

Kryeministri Nikolla Gruevski tha se kompromisi për tejkalimin e krizës nuk mund të arrihet pa pëlqimin e dy palëve.

“Për të arritur ndonjë marrëveshje duhet të arrihet pajtim midis dy palëve, gjë që ende nuk është arritur midis nesh”, deklaroi Gruevski.

Sipas paralajmërimeve në mediat e Shkupit, brenda kësaj jave liderët politikë pritet që në një takim të përbashkët të bëjnë përpjekjet e fundit për të tejkaluar krizën.

Por, për këtë takim sipas kryeministrit maqedonas, ende nuk janë krijuar kushtet. “Takim do të ketë kur do të krijohen kushtet, respektivisht kur do të ketë nevojë”, pohoi Gruevski.

Ndërkohë, jo zyrtarisht bëhet e ditur se partia opozitare LSDM këto ditë i ka paraqitur Gruevskit propozimin e fundit për zgjidhjen e krizës, ku kërkohet largimi i tij nga posti i kryeministrit pesë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme vitin e ardhshëm.

Opozita maqedonase, po ashtu ka kërkuar edhe disa poste kyçe në qeverinë që do të organizojë procesin elektoral, siç është ministria e Brendshme dhe ajo e Financave.

Top Channel