Itali, shkatërrohet klani mafioz i Barit. Kontrollonte të gjitha aktivitetet ekonomike

07/07/2015 00:00

Rreth 40 persona, anëtarë të një organizate kriminale, janë arrestuar këtë të martë në Bari të Italisë, bëjnë të ditur mediat italiane.

Sipas burimeve, forcat e karabinierëve i kanë dhënë një goditje të fortë klanit lokal Strisciuglio, që sipas hetuesve kontrollonte me dorë të hekurt të gjithë sektorët jetikë të ekonomisë.

Më kryesori ishte ai i ndërtimit, ku çdo biznesi i imponohej një gjobë e majme për ta lejuar në këmbim të vijonte punimet.

Sipas hetuesve, klani nuk kursente askënd dhe kishte vënë në shënjestër edhe ndërtimin e një shkolle fillore, që nuk i shpëtoi gjobëvënies.

Gjithashtu, karabinierët kanë arritur të provojnë edhe infiltrimin e organizatës në tifozerinë e klubit të futbollit të Barit, si dhe përpjekjen e saj për të marrë nën kontroll aktivitetet brenda stadiumit “San Nicola”, siç ishte rasti i përgatitjes së koncertit të këngëtarit të njohur italian, Vasco Rossi.

Klani kishte në dispozicion edhe një arsenal armësh, të cilat i fshihte në vendet bosh të varrezave të qytetit bashkë me municionet.

Një rol të rëndësishëm në këtë grup kishin edhe gratë, të cilat përcillnin mesazhe kur vizitonin bashkëshortët e tyre mafiozë në burg, ku fusnin edhe doza droge.

Top Channel