Asnjë plan konkret të ri? Greqia thotë se ka dorëzuar atë të javës së kaluar

07/07/2015 00:00

Zyrtarët grekë kanë bërë të ditur gjatë kësaj të marte se, ata kanë dorëzuar një propozim të ri ndaj partnerëve të Eurozonës, bazuar mbi atë që kishte dorëzuar gjatë javës së kaluar, duke refuzuar kështu sugjerimet se Athina nuk e ka bërë diçka të tillë në samitin e Eurogrupit.

Një zyrtar i lartë i Eurozonës është shprehur për “Reuters” se ministrat e Financave të Eurozonës janë takuar në Bruksel. “Zyrtarët grekë kanë thënë se do të dorëzojnë një kërkesë të re dhe një skicë të propozimeve, ndoshta nga e nesërmja”.

Një tjetër zyrtar ka thënë se, deri më tani nuk është dorëzuar asnjë propozim i ri për huadhënësit, duke shtuar se “nëse ata kanë planifikuar të prezantojnë diçka formale ditën e mërkurë, atëherë mund të mos gjejnë njeri për ta lexuar atë”.

I pyetur në lidhje me këto komente, një zyrtar i qeverisë greke ka shtuar: “Disa janë duke na ruajtur e duke thënë se ne nuk kemi propozime të reja. A nuk është kjo e njëjtë me faktin se nuk kemi një propozim 47 faqesh, të cilin e kishim edhe gjatë së hënës së kaluar?”.

“Nuk e di nëse qëndron fakti se nuk kemi ne propozime, apo fakti që ata nuk i pëlqejnë propozimet tona?”, shprehet më tej ai.

Një tjetër përfaqësues grek ka thënë se “qeveria greke është paraqitur me propozimet, të cilat nuk u diskutuan nga Eurogrupi javën e kaluar”.

Ndërkaq, huadhënësit kanë bërë të ditur më 27 qershor se, Greqia i kishte “shkatërruar” bisedimet me thirrjen e referendumit, ndaj dhe Eurogrupi nuk diskutoi formalisht propozimin e dërguar nga Greqia më 29 qershor.

Top Channel