Eurogrupi, në telekonferencë të mërkurën. Dijsselbloem: Kërkuan ndihmë afatmesme

07/07/2015 00:00

Eurogrupi, ku përfshihen ministrat e Financës nga vendet e monedhës së përbashkët europiane, do të zhvillojë një telekonferencë mëngjesin e së mërkurës, për të diskutuar mbi një kërkesë të pritshme të Greqisë për një hua afatmesme nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM).

Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, njëkohësisht edhe ministër i Financave i Holandës, i cili teksa është pyetur se përse nuk ka qenë e mundur ta zhvillonin këtë diskutim gjatë takimit të së martës në Bruksel, ka thënë se ministrat kanë qenë në pritje të një letre të re nga qeveria greke, por kjo e fundit paraqiti vetëm një letër të qartë propozimi.

“Kemi folur me kolegun tonë të ri grek (Tsakalotos) – tha Dijsselbloem. – Ai nuk na ka prezantuar ende propozimet e kërkuara, por fillimisht paraqiti përpara nesh një kërkesë tepër të shpejtë për ndihmë nga ESM-ja dhe, teksa pret përgjigje mbi këtë çështje, do të prezantojë edhe propozimet në emër të palës greke”.

“Shpresojmë të arrijmë një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Mëngjesin e së mërkurës do të kemi një telekonferencë, për të biseduar mbi këtë letër, e cila përfaqëson një kërkesë formale për ndihmë nga ESM-ja, për të nisur edhe procesin e negociatave. Hapi i parë do të jetë të pyeten institucionet financiare për të vlerësuar situatën financiare, nevojat financiare në Greqi, e më pas do të kemi një tjetër mbledhje të Eurogrupit për të vendosur nisjen formale të bisedimeve”, tha kreu i Eurogrupit.

Menjëherë pas shtyrjes së samitit të Eurogrupit për mëngjesin e nesërm, Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar angazhim të Greqisë për ndërmarrjen e reformave, në mënyrë që të sigurojë hua të reja, duke theksuar për të disatën herë – teksa mbërrinte për samitin e Eurogrupit në Bruksel këtë të martë, – se kanë mbetur vetëm pak ditë deri në arritjen e një marrëveshjeje të re.

“Ende nuk ka baza për t’u ulur për negociata mbi kornizën e programit ESM”, tha ajo në lidhje me planet e Greqisë për të kërkuar hua nga Mekanizmi për Stabilitetin Europian. “Pa solidaritet dhe reforma, nuk është aspak e mundshme të shkojmë atje ku duam të arrijmë ne, – shtoi ajo. – Kjo nuk është çështje javësh, por çështje e pak ditëve. Do të presim reagimin e kryeministrit grek”.

Ndërkaq, kryeministri grek Alexis Tsipras raportohet të ketë biseduar në telefon me Presidentin amerikan, Barack Obama, gjatë kësaj të mërkure, sapo është përmbyllur samiti emergjent i Eurozonës, duke e informuar atë në lidhje me kërkesën e Greqisë për të siguruar një hua.

Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar i qeverisë greke, i cili shtoi se Obama ka theksuar se ka shpresa të palëkundura për një përfundim të suksesshëm të negociatave.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kërkojnë një zgjidhje të shpejtë për krizën e borxheve greke, që do ta mbajë Athinën sërish brenda zonës së monedhës së përbashkët europiane.

Top Channel