Reforma në Drejtësi, PD thyen bojkotin dhe vendos të jetë pjesë e komisionit

07/07/2015 00:00

Partia Demokratike do të jetë pjesë e Komisionit për Reformën në Drejtësi. Këtë fakt e ka bërë të ditur deputeti demokrat, Eduard Halimi, i cili është shprehur se, pasi mazhoranca ka pranuar dy kërkesa të opozitës, ata vendosën të jenë pjesë e kësaj reforme.

“Ka pranuar kërkesën përsa i përket barazisë në komision, një kërkesë shumë e rëndësishme, në mënyrë që reformat të jenë jetëgjata dhe të mos varen vetëm nga qenia vetëm në një mandat të një qeverie. Ndaj dhe opozita do të marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe, sigurisht, në seancën e ardhshme do të bëhen të ditur emrat. Opozita, sot ka depozituar edhe listën e 5 anëtarëve të këtij komisioni, meqë ky komision do të ketë 10 anëtarë, duke u tërhequr nga kërkesa për bashkëdrejtimin e këtij komisioni. Pra, komisioni do të ketë një kryetar dhe një nënkryetar, që i përket opozitës, dhe në përbërje 10 anëtarë, me nga 5 të secilës palë”, – ka thënë Eduard Halimi.

Duke përmendur ligjin për KLD-në dhe atë për Gjykatën e Lartë, deputeti demokrat u shpreh se, opozita do të shikojë me shumë vëmendje çdo hap që do të ndjekë qeveria, duke qenë prezentë në këtë reformë. Gjithashtu, Halimi vuri theksin edhe te rëndësia e kësaj reforme, e cila duhet të bëhet në përputhje me procesin e dekriminalizimit të Parlamentit.

Top Channel