Kosovë, kreu i Financave pret përfaqësuesin e FMN-së

07/07/2015 00:00

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Frank Lajkwik, qartësuan marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me FMN-në, pas disa keqinterpretimeve të raportuara nga mediet mbi të, thuhet në komunikatën për media të ministrisë.

Ministri i Financave kujtoi se, pas miratimit të buxhetit për vitin 2015, Qeveria ka bërë të ditur se në këtë buxhet nuk është prezantuar në disa aspekte gjendja reale te të ardhurat dhe, rrjedhimisht, edhe te shpenzimet, kështu që – siç është deklaruar, – buxheti do të rishikohet nga mesi i këtij viti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka miratuar në shkurt të këtij viti programin qeverisës, ku janë parashikuar një varg reformash fiskale, administrative, strukturore dhe të tjera. Disa nga pikat e këtij programi janë futur edhe në programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Si për shembull, ligji i prokurimit publik dhe ndryshimi i tij, aplikimi i prokurimit elektronik, nevoja për të hyrë në marrëveshje ndërkombëtare, në kredi të buta për të financuar projekte, si dhe nevoja që ne të kemi një rregull fiskal”, tha Hoti.

Ai shtoi se “programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar është konkretizuar në fillim të muajit qershor dhe ka praktikisht 100% pikat e programit qeverisës”.

Ndërsa Frank Lajkwik, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, theksoi se ka pasur privilegjin të jetë i përfshirë në tërë procesin, që ka dërguar deri te marrëveshja ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria ka trashëguar praktikisht një buxhet mjaft të keq për vitin 2015. Ka qenë shumë e qartë, se qeveria nuk ka pasur dëshirë të vazhdojë me atë buxhet, por ka dashur ta korrigjojë atë. Për këtë arsye, ne kemi diskutuar me Qeverinë e Kosovës, duke qenë të gatshëm ta mbështesim atë në këtë pjesë, sepse në fund të fundit ky është edhe roli ynë. Por ka qenë edhe një gjë shtesë, që mund ta quajmë inovacion, ku Qeveria e Kosovës ka thënë se dëshiron ta kontrollojë buxhetin, por në të njëjtën kohë ka edhe nevoja të mëdha zhvillimore. Kështu që, diskutimi për ne ka qenë sesi të mbajmë buxhetin themelor nën kontroll, por në anën tjetër të kemi parà edhe për investime kapitale, që janë të nevojshme për zhvillimin e projekteve” tha Lajkwik.

Top Channel