Deçani, nga 2016-a me stadium e palestër sportive

07/07/2015 00:00

Që nga viti i ardhshëm, Deçani do të mund t’i zhvillojë garat sportive në terrenin e tij. Ndërtimi i stadiumit dhe palestrës sportive në Deçan pritet të përfundojë në vitin 2016. Punimet për këtë projekt kanë nisur vite më parë, por gjatë kësaj kohe, ato kanë vijuar me ritme të ngadalësuara.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala vizitoi këtë të martë Deçanin, me qëllim që të shohë nga afër ecurinë e ndërtimeve.

“Duket qartë se, gjatë këtij viti ka pasur një dinamikë tjetër të punimeve, më të përparuar në palestrën sportive dhe, nëse do të ecin sipas kësaj dinamike, ne llogarisim që do të përfundojnë brenda vitit të ardhshëm. Ndërsa, sa i takon stadiumit, ne sivjet do të përfundojmë fazën e dytë e më pas do të vazhdojmë investimet vitin tjetër edhe me fazën e tretë, në mënyrë që përpos terrenit të përshtasim edhe infrastrukturën përcjellëse, në mënyrë që ai të jetë një objekt në gjendje që të përballojë garat”, tha ministri Shala.

Në Deçan, ministrin Shala e priti kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj, i cili tha se pret, që projektet e nisura të përmbyllen gjatë vitit të ardhshëm. Selmanaj shtoi se ky projekt arrin shumën e rreth 2 milionë eurove.

Prej vitit të ardhshëm, pritet që Deçani të ketë hapësirat e veta sportive, investim ky i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Top Channel