Merkel, sot në Tiranë. Ja përgatitjet, axhenda dhe rrugët që do të bllokohen

07/07/2015 00:00

Hollit Kryeministror, tërësisht të transformuar pas një rikonstruksioni të plotë, po i jepet dora e fundit e përgatitjeve për të mirëpritur kancelaren Angela Merkel, dhe pas kësaj vizite do të jetë i hapur edhe për publikun.

Ka përfunduar ndërtimi bibliotekës, ku publiku do të ketë akses. Në të djathtë të Hollit Kryeministror janë ekspozuar materiale të prodhura gjatë totalitarizmit për t’i sjellë në vëmëndje të publikut, dhe në të njëjtën kohë të ruajë kujtesën tonë kolektive. Pjesës ballore të Kryeministrisë nga jashtë i është shtuar një tendë e ndriçuar, ndërsa në pjesën anësore është vendosur një monument në formën e kërpudhës.

Kancelarja Merkel pritet të mbërrijë në aeroportin Nënë Tereza të mërkurën rreth orës 13:50, ndërsa shkallët e Kryeministrisë, ku do t’i rezervohet pritja shtetërore e nivelit më të lartë, është në orën 14:15, për të vijuar një takim kokë më kokë 15 minutësh me kryeministrin Edi Rama, e më pas për 45 minuta takimi mes dy delagacioneve që do t’ja lërë radhën konferencës së përbashkët për shtyp Rama-Merkel.

Në 16:15 parashikohet takimi i Merkel me Presidentin Bujar Nishani për t’ju drejtuar më pas konferencës së ekonomisë në “Tirana Business Park”, ku Merkel do të ketë një fjalë përshëndetëse, që shënon edhe fundin e vizitës.

Vizita e kancelares Merkel do të zhvillohet nën masa të forta sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave, ku përfshihen  ndalimi qarkullimit të mjeteve nga ora 10:30-14:30  në aksin rrugor Rinas  në drejtim të  Kasharit. Nga ora 13:30-14:30 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi i Kamzës dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara.

Në vazhdim segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” – Rruga e “Durrësit”, segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.

Top Channel