Shtyhet për në shtator shpallja e fituesit për hyrjen e Parkut

07/07/2015 00:00

Nuk është shpallur asnjë fitues nga 9 studiot arkitekturore që paraqiten koncept-idenë për hyrjen e Parkut Kombëtar në Tiranë.

Kjo garë është shtyrë për në muajin shtator, duke u dhënë mundësinë studiove të rishikojnë koncept-idenë e tyre. Zv.kryeministri Niko Peleshi tha se Qeveria synon rritjen e sipërfaqes së gjelbër në këtë park dhe jo betonizimin, ndërkohë që për tre godinat e planifikuara për t’u ndërtuar, tha se do të shfrytëzohej një pjesë e hapësirës prej 40 mijë metër/katror, që ka zënë Garda e Republikës.

“Procesi për çlirimin e hyrjes së parkut ka filluar me prishjen e ndërtimeve në krah të korpusit të universitetit. Do të vazhdojmë me çlirimin e një hapësire tjetër, e cila pavarësisht se i përket një organi shtetëror, siç është Garda e Republikës, është totalisht e paaksesueshme nga publiku dhe këtu nuk bëhet fjalë për një sipërfaqe të vogël, por për 40 mijë metër/katrorë. Pra në finale, pas çlirimit të sipërfaqes së hyrjes së parkut, duke i rikthyer publikut sipërfaqen prej më shumë se 40 mijë metër/katrorë të Gardës së Republikës dhe duke shfrytëzuar një pjesë të kësaj sipërfaqje për të akomoduar tri objekte publike”, deklaroi Peleshi.

Por në fakt menjëherë pas shpalljes së konkursit, një ditë më parë, ka qenë i fortë reagimi qytetar që kundërshtonte ndërhyrjen në hyrje të Parkut.

“Duhet të kuptojmë që nuk kemi arsye pse të nxitohemi për të marrë vendimi për të ndërtuar apo jo në këtë zonë. Mirë apo keq, Tirana ka një plan rregullues, si fillim. Së dyti, Tirana ka një kryetar të ri bashkie dhe nuk besoj që ka nevojë për vendime qeverie, por duhet që të presim të nisë detyrën kryetari i ri i bashkisë. Tirana nuk mund të ketë gjithë presionin e nevojshëm tek Liqeni Artificial, por duhet zgjeruar drejt bulevardit të ri dhe të ndërtojmë në Liqenin e Paskuqanit një gjë të ngjashme. Mbetem shumë mbështetës i vendimit që ka marrë Qeveria për ta pastruar atë zonë, dhe për mendimin tim duhet të mbetet e pastër”, thotë juristi, Ylli Manjani.

Forumi i Trashëgimisë Kulturore ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me mungesën e informacionit për shpalljen e këtij konkursi, ndërkohë që kërkon dhe marrjen në konsideratë të mendimeve të qytetarëve.

“Forumi sugjeron që të diskutohet edhe njëherë, të ketë një diskutim paraprak për një plan të ri zhvillimi, dhe më pas të ndërmerren hapa të tillë për ndërtime në zonën hyrëse të Parkut. Qytetarët, edhe nga jashtë vendit janë tepër të shqetësuar, sepse është parë se çfarë është bërë me planet rregulluese dhe me nisma të tilla. Të gjithë shprehin shqetësimin që të ruajmë sa më shumë zonat e gjelbra që kanë mbetur në Tiranë. Një vendim i tillë duhet marrë i peshuar, i hapur me qytetarët, me grupet e interesit dhe më pas të shikohet se kush është projekti më i mirë për ndërtimin në hyrjen e Parkut të Liqenit”, thotë Erjon Tase nga Forumi i Trashëgimisë Kulturore.

Edhe grupimi “Ne, Tirana” është shprehur kundër ndërtimeve në hyrje të Parkut Kombëtar.

“Ajo që është e tmerrshme në këtë proces është që qytetarët e Tiranës nuk po pyeten fare, nuk po pyeten nëse janë dakort me këtë plan apo jo dhe mbi të gjitha ky plan do të dhunojë trashëgiminë kulturore. Gjithë pjesa tek sheshi Nënë Tereza është pjesë e trashëgimisë kulturore”, thotë grupimi.

Reagime të ashpra ka pasur edhe në rrjete sociale në Facebook nga qytetarë të thjeshtë, të cilët sapo u shpall konkursi kanë kundërshtuar këtë projekt të Qeverisë.

Top Channel