Shorti i Botërorit 2018? Ja kush do ta prezantojë

07/07/2015 00:00

Shfaqja për shortin e kualifikueseve të Botërorit 2018, që do të zhvillohet në Rusi, do të prezantohet nga supermodelja dhe filantropistja Natalia Vodianova, si dhe prezantuesi televiziv Dmitry Shepelev.

Dyshja në fjalë do të flasin para audiencës globale nga më shumë se 100 vende të botës përmes një programi që do t’iu prezantojë fansave të futbollit anembanë botës me kulturën e pasur të Rusisë.

Ceremonia, që do të përcaktojë grupet kualifikuese për turneun më të rëndësishëm botëror të vitit 2018, do të zhvillohet më 25 korrik në “Pallatin Konstantin” të Shën Pjetërburgut, ndërsa goglat e shortit do të zbardhen nga Sekretari i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke.

Shfaqja do të fillojë më 18:00 me orën lokale (17:00) dhe do të zgjasë për 2 orë. Në të do të marrin pjesë 2000 të ftuar, përfshi përfaqësuesit e 140 federatave anëtare të FIFA-s, ikona të futbollit, zyrtarë të sporteve, artistë të mirënjohur dhe figura të shquara. Rreth 700 do të jenë përfaqësuesit e medieve nga çdo kontinent, për të mbuluar këtë event madhor.

Por kush janë prezantuesit?

Natalia Vodianova, supermodele dhe filantropiste ruse, zotëron një fondacion të sajin dhe ka qenë një prej supermodeleve më premtuese të botës gjatë 15 viteve të fundit. Ajo themeloi organizatën e saj të bamirësisë në 2004-n, që funksionon në Rusi dhe mbështet familjet që rrisin fëmijë me nevoja të veçanta. Në 2010-n, Natalia ishte pjesë e delegacionit rus që prezantoi ofertën për të organizuar Botërorin e vitit 2018.

Dmitry Shepelev është lindur në Minsk dhe është prezantues i “Channel One Russia”. Eksperiencat e tij përfshijnë edhe të punuarit për Eurovizionin e vitit 2009 në Moskë, gjë që i dha atij çmimin “TEFI” nga Akademia ruse e Televizionit.

Top Channel