Aksident ajror mbi Karolinën e Jugut, përplaset avioni ushtarak F-16 me një privat

08/07/2015 00:00

Një avion luftarak F-16 është përplasur mbi Karolinën e Jugut me një avion të vogël privat. Aksidenti ndodhi këtë të martë. Dy personat që gjendeshin në avionin privat kanë vdekur, ndërsa piloti i avionit luftarak arriti të hidhej me parashutë.

Aksidenti ajror ndodhi rreth 11 milje nga pista e Charleston, tha një zyrtar vendas. Avioni luftarak F-16 ishte ngritur nga baza Charleston dhe ishte me mision trajnimi.

Sipas fakteve të para, piloti i F-16-s ishte duke folur me pikën e kontrollit në momentin e përplasjes”, tha koloneli Stephen Jost.

Menjëherë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentin ajror, duke përfshirë edhe gjendjen e arsyes se pse avionët po fluturonin aq pranë njëri-tjetrit.

Piloti i F-16-s, majori Aaron Johnson arriti të hidhej me parashutë duke i shpëtuar vdekjes, ndërsa më pas u transportua për në spital për të kryer kontrollet e nevojshme, edhe pse gjendja e tij dukej e mirë.

Fatmirësisht askush nuk u lëndua nga rënia e pjesëve të avionëve, ndërsa ende nuk janë gjetur trupat e dy viktimave.

Top Channel