Parandalohet një krim brenda familjes në Krujë, arrestohet kryefamiljari

08/07/2015 00:00

Ndërhyrja në kohë e efektivëve të policisë ka parandaluar një krim të mundshëm në një familje të Krujës.

Sipas burimeve zyrtare të policisë rajonale, kryefamiljari Pjetër Gega ka kërcënuar me armë zjarri pjesëtarët e tjerë të familjes.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Luz-Fushë Krujë, ku siç duket policia ka ndërhyrë pas informacioneve të marra për një konflikt në familjen Gega.

Policia arrestoi kryefamiljarin 63-vjeçar, të cilit iu kapën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës material një pushkë model 56, një tjetër pushkë model 63 dhe 12 fishekë.

Policia tha se po vijon hetimet për këtë rast, ndërsa materialet e tjera ia ka kaluar Prokurorisë së Krujës për veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve”.

Top Channel