Tentativë vrasjeje te Shkëmbi i Kavajës, arrestohet një i dyshuar

08/07/2015 00:00

Një shkëmbim zjarri që më pas rezultoi në një tentative vrasjeje të dështuar ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Durrës, pranë zonës së njohur si “Shkëmbi i Kavajës”, në oborrin e lokalit “Majestik”.

Si i dyshuar për këtë ngjarje është 44-vjeçari Arben Drazhi, nga Durrësi. Ai u arrestua pasi, sipas policisë, ka tentuar të vrasë më armë zjarri një 21-vjeçar të identifikuar me inicialet A.B., banues në Shënavlash, po në Durrës.

Policia tha se, nga këqyrja e automjetit tip BMV, me targë AA325MB, në pronësi të 21-vjeçarit, janë konstatuar disa dëmtime me armë zjarri.

Në cilësinë e provës materiale në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan një gëzhojë e kalibrit 9 mm, një predhë po e kalibrit 9 mm, por e deformuar, një pistolete kalibër 9 mm dhe një krehër me 9 fishekë.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se edhe A.B., ka qëlluar në drejtim të lokalit, dhe për këtë arsye ai është shpallur në kërkim”, saktësoi policia, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel